Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, tashmë e ka të qartë që nuk mund ta nënvlerësojë Ligën e Europës dhe e pranon se është mundësia për të shpëtuar një sezon zhgënjyer. Venger pranon se presioni është i madh në prag të sfidës kundër Milanit në formë, por francezi ka besim se lojtarët e tij kanë një shans për të treguar cilësitë e tyre në rrethana të vështira.
“Më bën të mendoj paksa për sezonin e shkuar, por atëherë grumbulluar 75 pikë dhe nuk shkuam në Champions League për një pikë. 75 pikë janë shumë, nuk i kapim dot këtë sezon. Tani kemi një mundësi në Europa League, duhet ta shfrytëzojmë, por kjo e shton presionin. Për momentin është e vështirë, jemi në një moment të keq, por mendoj se është një shans për kthesë. Në situata të tilla tregohet forca dhe cilësia, skuadra mund të mësojë shumë nga këto vuajtje”.
Venger pranoi se skuadra e tij është e dëshpëruar nga disa humbje rresht: “Lojtarët janë me moralin paksa të ulët, ata duan të fitojnë, sepse në jetë harrohet shpejt sa i zoti je, nëse nuk e bën diçka të tillë. Duhet të vendosim objektiva të arritshëm, të përqendrohemi tek ato që mundtë përmirësojmë dhe të mos kemi shumë frikë nga pasojat e një rezultati të keq. Për mendimin tim do të jetë një sfidë shumë e ekuilibruar, sepse Milani po ecën shumë mirë në këtë moment”.