Vendoset tulla e parë e shtëpisë së re, Reja dhe Duka në rindërtimin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti

Nën moton “Ne jemi një skuadër, rindërtojmë së bashku”, Presidenti Duka dhe trajneri Reja morën pjesë në ceremoninë simbolike, ku vendosën tullën e parë të shtëpisë së re që pritet të jetë gati shumë shpejt. Në fjalën e tij para mediave të pranishme, presidenti i i FSHF-së u shpreh:
“Faktikisht pandemia na bëri që për njëfarë kohe ta ndërprisnim projektin apo iniciativën e marrë që pas fatkeqësisë së ndodhur në nëntor, tërmetit i cili dëmtoi gjithë këtë zonë. Që në atë kohë, ne të gjithë, federata dhe të gjithë futbollistët e ekipit kombëtar, trajneri dhe disa federata mike, morëm iniciativën dhe hapëm një llogari për një ndihmë modeste për të ndërtuar disa shtëpi. Kjo është shtëpia e parë që ne po fillojmë, e thashë që, me vonesë disi për arsye të pandemisë por gjithsesi siç thotë populli ‘Më mirë vonë se kurrë’ dhe pas kësaj do të ndërtojmë edhe 2 shtëpi të tjera. Kemi zgjedhur nëpër fshatra shtëpi teke që janë sa më të rrënuara dhe sa më në nevojë. Në këtë rast, unë do të doja të falenderoja jo vetëm përfaqësuesit që janë këtu sepse edhe në mënyrë individuale, qoftë trajneri Reja nga financat i tij ka kontribuar në këtë buxhet, Elsi Hysaj, Etriti dhe të gjithë futbollistët e kombëtares, disa federata mike dhe kryesisht Federata italiane dhe Federata Shqiptare e Futbollit për të bërë këtë projekt. Unë e kuptoj dhe ne jemi të përgjegjshëm që kjo nuk e zgjidh problemin e të gjithë atyre që janë dëmtuar nga tërmeti por gjithsesi tregon solidaritetin e ekipit kombëtar, e Federatës së Futbollit, partnerëve tanë e trajnerit dhe stafit të kombëtares me ato që janë dëmtuar dhe sa më pak të lehtësojmë dhimbjen e tyre dhe t’i kthejmë në jetë normale. Ky projekt që shohim këtu sot është disi më i mirë se ç’ishte përpara. Për zotërinjtë dhe fëmijët e tij ka qenë një kohë vërtetë e dhimbshme duke jetuar në çadër ku ka kaluar thuajse një vit. Uroj që sa më shpejt të mbarojë ndërtimi dhe të kthehet në jetë normale.”

Ndërsa, trajneri Reja, në fjalën e tij të rastit tha: ‘Sapo mësuam për atë që ndodhi me tërmetin, ne i kërkuam presidentit dhe Federatës që të marrim pjesë në rindërtimin e shtëpisë, pastaj siç e tha edhe presidenti, kjo pandemia na prishi pak punë . Është solidariteti ynë kundrejt këtyre njerëzve që kanë më shumë nevojë sot dhe kanë pasur vështirësi. Ishte kënaqësi të isha pjesë e kësaj ceremonie, vendosëm tullën e parë dhe shpresojmë ky rindërtim të marrë jetë dhe që këto njerëz t’i rikthehen jetës normale sepse kanë pasur vështirësi të mëdha. Nga ana jonë, nga ana ime dhe e të gjithë stafit tim që kanë kontribuar nga ana financiare për t’i dhënë mundësi ndërtimit të shtëpisë, e cila është një nga tre shtëpitë që do të ndërtohet. Jemi afër këtyre personave dhe me këtë kontribut të vogël urojmë t’i japim dorë që t’i rikthehen jetës normale.”

E zonja e shtëpisë falenderoi FSHF-në dhe të gjithë bashkëpunëtorët që po bëjnë të mundur që shtëpia të rindërtohet : “Falenderojmë Federatën Shqiptare të Futbollit, presidentin Armand Duka dhe skuadrën e futbollit, trajnerin, që të gjithë. I falenderojmë shumë për këtë që po bëjnë për ne”.

Në fund, futbollisti i kombëtares tonë Elseid Hysaj u shpreh: ‘Po mundohemi t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit që kanë nevojë. Do jetë e vështirë të gjithë, por do mundohemi që familjet që kanë pasur më shumë dëme t’i ndihmojmë dhe siç thashë uroj që të mos ndodhin më dhe të jetojnë sa më të qetë.”
Në përfundim të ceremonisë, Presidenti i FSHF së bashku me trajnerin dhe futbollistët shpërndanë edhe disa dhurata për tre fëmijët e familjes Mirdita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *