Është Napoli kampion i dimrit në Serinë A italiane. Skuadrës së drejtuar nga Mauricio Sarri i ka mjaftuar një gol dhe pak sforcim për fituar 1-0 në fushën e Krotones, duke arritur fitoren e tretë rresht në po aq përballje në Serinë A me kalabrezët. Shënoi kapiteni Marek Hamshik në minutën e 17-të, duke gjetur golin për të tretën ndeshje rresht, gjë që nuk e bënte prej thuajse dy vitesh. Goli numër 117 për sllovakun, që javën e shkuar kaloi Diego Maradonën në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Napolit.
Pas golit të avantazhit, Hysaj me shokë administruan mirë ndeshjen, duke rrezikuar vetëm në një rast, për një pakujdesi të portierit Reina. Rastet për shënim nuk munguan për Napolin, por portieri vendas Kordaz ishte më i miri në fushë për të tijtë. Gjithsesi, mjaftoi kaq, Napoli triumfon dhe feston, duke shpresuar që statistikat të kenë të drejtë, sepse në 70% të rasteve kampioni i dimrit ka fituar titullin në Serinë A.