Drejtuesit nuk duan të shpenzojnë si në sezonin e kaluar. Futbollistët e shtrenjtë do të largohen. Batha dhe Fejzullahi janë shembulli i qartë
Partizani e ka marrë mësimin nga sezoni i kaluar kur shpenzoi pafund kot, ndërsa skuadra e “demave” nuk fitoi asgjë. Presidenti Gaz Demi ka folur hapur me drejtorin Olsi Rama dhe i ka kërkuar që të ulë borderon për sezonin e ardhshëm, madje futbollistët me rroga shumë të larta të largohen.
Në këtë rast e pësuan Idriz Batha dhe Arbnor Fejzullahi, të dy nuk rinovuan me kryeqytetasit, pasi nuk ranë dakord për rrogën. Ish-kapiteni përfitonte 3500 euro në muaj, ndërsa preshevari 4000 mijë euro në muaj. Ata kërkuan rinovimin me drejtuesit me rritje page, por nuk u pranua nga kryeqytetasit. Batha dhe Fejzullahi nuk rinovuan dhe tani janë lojtarë të lirë në treg. Ata do të shohin mundësitë që u ofrohen për të vendosur të ardhmen. Nga krahu tjetër, Fejzullahi dhe Batha nuk do të kthehen më, por kjo masë nga klubi i kuq ndikon dhe për të ardhmen dhe merkaton.
Drejtori Rama është i limituar në kosto, pasi nuk duhet të afrojë futbollistë me kosto shumë të larta dhe sigurisht cilësia bie në këtë rast. Skuadra e kuqe duhet të tregohet e zgjuar dhe e shpejtë në merkato. Prandaj dhe afrimet kanë qenë të lira duke filluar nga Henri Okobugu e deri te Kostandin Karriqi. Të shohim dhe të presim për lëvizjet e tjera.