Orët e para të mëngjesit e kanë gjetur Teatrin Kombëtar të shembur përtokë e mes pluhurit, duke ngjallur edhe irritimin e shoqërisë shqiptare. Protestat pasuan këtë veprim të bashkisë e qeverisë shqiptare, i cili ishte planifikuar prej kohësh por që kishte hasur në kundërshtim të fortë nga qytetarët dhe artistët. Kauzës për mbrojten e një godine simbol të kulturës sonë i janë bashkuar shumë persona, ndërsa ka pasur edhe nga ata të cilët sillen në mënyrën tipike shqiptare, me indiferentizëm.
Ndërkohë një çështje e tillë ka marrë edhe vëmendjen e botës së sportit, ku lojtari i Teutës, Renato Arapi ka reaguar në rrjetin e tij social. Ironia e tij nuk ka munguar, teksa thekson se jemi një vend me nivel injorance të lartë, pasi ende nuk e kanë kuptuar kauzën që ishte ngritur për teatrin, që sot duhej të ishte në këmbë e jo e shembur përtokë.
“Përfundimisht ky vend ka nivel injorance të frikshëm. Akoma nuk e kuptojnë kauzën e teatrit dhe pse nuk duhet ta lejonin të prishej. Shumë mirë na e bëjnë… Presim të ndërrohen qeveritë se ndoshta do ndryshojë diçka. Edhe dilni bërtisni me të madhe tani se jemi ne pasardhësit e pellazgëve dhe ilirëve. Jam i sigurt që civilizimi nga ne ka ardhur… pa diskutim“, përfundon me ironi Renato Arapi./Halit Delibashi-Sport Eskpres/