Një leksion i madh u dha nga Loro Borici në ndeshjen kundër Craiovas, aq sa u duartrokit edhe nga vetë trajneri i rumunëve. Ky i fundit veçoi vetëm stadiumin dhe atmosferën e krijuar: “U kënaqa që luajta në një vend dhe ambient të tillë”.
Nuk ishin thjeshtë tifozë, por një Vëllazëri që i bashkonte e njëjta dëshirë, ekipi i tyre duhej të fitonte. Femra, të moshuar, fëmijë, burra dhe adoleshent. Nga të gjitha grup moshat dhe pa dallim gjinie, të gjithë kishin përfunduar në Loro Borici duket e kthyer një ndeshje futbolli në festë.
Vërtet për t’u duartrokitur një pamje e tillë që nuk ndodh shpesh në futboll. Në fakt, nga Shkodra jemi mësuar me situata të tilla, por në kohën e Brdaric, po humbej disi ky identitet i formuar nga qyteti në fjalë prej vitesh.
Acarimi dhe tensioni i gjermanit reflektonte edhe tek tifozët me shishet e ujit të hedhura në fushën e lojës, që nuk kanë asnjë lidhje të vetme me mbështetësit e Vllaznisë. Kjo nuk ndodhi kundër Craiovas, as në momentin kur ekipi pësoi gol.
Përkundrazi, qetësia e Mirel Josës na bëri të kuptonim realisht sesa ndikon edhe sjellja e trajnerit në këtë problematikë. Padyshim që në atë barazim të Vllaznisë në Europë kishte dy fitore të mëdha, respekti që tani kundërshtari ka krijuar pas nënvlerësimit dhe tifozeria. /Sport Ekspres/