Futbolli është përtej aftësive dhe cilësive individuale, ndonjëherë është edhe fati që vendos për karrierën e një lojtari. Duhet të jesh në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Kështu mund të thuhet se ka kaluar edhe karriera e Berat Gjimshitit. Lojtari që sot është i pazëvendësueshëm te Atalanta, dikur ka pasur jo vetëm luhatje, por shumë ngrinin pikëpyetje për cilësitë e tij, të paktën te Atalanta.
Për këtë arsye ekipi nga Bergamo e nisi Gjimshitin në dy huazime, te Avellino dhe Benenvento, pasi për ta, mbrojtësi shqiptar nuk ishte ende gati. Edhe kur u kthye nga huazime, Gjimshiti dukej i tepërt te Atalanta dhe po bëhej gati për t’u larguar, me valixhen në dorë. Por sipas asaj që raporton “TuttoAtalanta”, ishte një rastësi që e detyroi Gaperinin ta mbante Gjimshitin. “Vdekja jote, është jeta ime”, thuhet në një shprehje që personifikon shumë historinë e Gjimshitit te Atalanta.
Teksa bëhej gati për t’u larguar nga ekipi, në stërvitje, Gomez përplaset me Varnier dhe ky i fundit dëmtohet rëndë. Për këtë arsye Gjimshiti nuk mund të largohej dhe Gasperini e kthen në stol. Më pas shqiptari duhej të priste dhe pak për t’u bërë titullar, ndërsa fitorja e Atalantës kundër Interit me shifrat 4-1, me Gjimshitin në fushë, bëri që Gasperini ta shihte ndryshe. Tani Gjimshiti është 31-vjeç, edhe nëse Atalanta blen Hien, Kolasinac, apo edhe nëse Scalvini shpërthen dhe merr ftesën e Kombëtares së Italisë, Gaperini bën gjithmonë një kombinim ku Gjimshiti të jetë titullar. Dhe shqiptari jo vetëm që nuk e zhgënjen, por shpallet lojtar ndeshje në përballjet me Liverpul dhe Marsejës në gjysmëfinale. /Sport Ekspres/