Tirana është duke u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Champions League-s në Turqi, atje ku sot fitoi miqësoren përballë Shkupit. Shorti në turin e parë të kompeticionit më të lakmuar për klube i ka vënë përballë Dudelanzhin, ekip ky që ishte më i lehtë në letër se sa 4 kundërshtarët e tjerë të mundshëm. Por pavarësisht kësaj, Shehi qendron me këmbë në tokë dhe thekson se nuk ka rivalë të lehtë në këtë kompeticion. Në një lidhje direkte me emisionin “Fair Play” në “Syri TV”, trajneri i Tiranës është shprehur se po përpiqet t’i bëjë të qartë lojtarëve se në sfida të tillë një detaj i vogël të nxjerr jashtë kompeticionit.
“Edhe në kronikën që pashë, por edhe pas shortit, në çdo intervistë apo në çdo shkrim vazhdohet të flitet: “Fat, fat, fat”. Ne jemi me fat vetëm sepse në vazon ku ishin ndarë 5 kundërshtarë na ra më pak e dobëta. Pra më e dobëta e gjithë atyre kundërshtarëve që ishin të fortë. Mos të harrojmë që është kundërshtar kampion. Në Champions League nuk ka skuadra të dobëta. Ne kurrsesi nuk duhet të nisemi më ketë ide që Luksemburgu s’ka futboll. Mos të harrojmë që e ka koefiçentin 8 dhe ne nisemi nga koefiçenti 2.7. Kurrsesi nuk mund të themi që ata janë më të avantazhuar se ne, por nuk mund të themi që ne duhet të kalojmë ne eufori dhe të mendojmë kualifikimin në turin e dytë pa kaluar të parin. Këtë në mënyrë kategorike skuadra e ka të qartë.
Aq eksperiencë sa kam unë në këtë kompeticion, do mundohem t’ja transmetoj lojtarëve që në këtë kompeticion del edhe për shkak të detajeve. Pra, kur luan me skuadra kampione, kur të humbet pak përqendrimi, vlersimi. Kur nuk je i vëmendshëm, humbet ndeshjen. Del nga kompeticioni dhe pastaj thua: “Si dola unë“?! Kjo është thelbi që po mundohemi të punojmë. Edhe kur të na binte shorti me skuadra të forta me këtë mentalitet do hynim. Në futboll nuk ka favorit“, ka deklaruar Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/