Vazhdojnë punimet në fushën e “Air Albania”, inxhinieri i UEFA-s: Ja si po e kthejmë fushën në gjendje optimale

Vazhdon me ritme intensive puna në fushën e stadiumit “Air Albania”, që gjithçka të jetë në kushte optimale për ndeshjen e 28 marsit ndaj Anglisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2022.

Një grup i posaçëm me specialistë të FSHF-së punon prej javësh çdo ditë me orare të zgjatura për rinovimin e fushës, ndërkohë që së fundmi është vënë në funksion edhe impianti modern i dritave që ndihmon barin të rritet normalisht në çdo cep të fushës, duke zëvendësuar rrezet e diellit.

Këtij grupi specialistësh i është bashkuar prej disa ditësh edhe inxhinieri i UEFA-s për fushat e futbollit, Matthew Dean Gilasbey, i cili po jep kontributin dhe eksperiencën e tij për rikthimin e tapetit në gjendje sa më të mirë para sfidës zyrtare. Ai ka një përvojë të madhe si konsulent i UEFA-s dhe ka punuar për mirëmbajtjen apo rinovimin e fushës në disa prej stadiumeve më të mëdha të Europës.

Në një prononcim për Fshf.org, Gilasbey, shpjegon në detaje proceset që po kryhen aktualisht në stadium dhe mënyrat që po përdoren për të lidhur sa më mirë barin me shtresën e tokës dhe eliminimin e dëmtimeve të fushës gjatë ndeshjes.
“Ajo që ne kemi bërë këtu praktikisht është ajo që e quajmë një mini-rinovim. Objektivi ynë është që rrënjët të futen thellë nën tokë, që të krijojnë një stabilitet më të mirë për sipërfaqen. Momentalisht rrënjët janë vetëm 20 milimetra nën tokë dhe ne duhet të integrojmë të dyja shtresat bashkë, atë të sipërmes dhe atë të poshtme, që tapeti të jetë i lidhur mirë me tokën, pasi e kemi parë që fusha dëmtohet gjatë ndeshjeve. Ajo që ne kemi bërë aktualisht, kemi ajrosur fushën, kemi zbutur sipërfaqen e sipërme. Kemi përdorur një pëlhurë mbi barin gjatë ditës kur ka diell, që të ndihmojmë rrezet e diellit të kenë një efekt sa më të mirë, në mënyrë që të krijojmë një lloj ure për të bashkuar më mirë të dyja sipërfaqet e fushës. Keni dy profile në këtë fushë, pjesa e sipërme ka një lloj shtrese rëre të mirë, ndërkohë që në thellësi ka edhe një shtresë tjetër e cila për momentin nuk lidhet plotësisht”, – thotë specialisti i UEFA-s.

Sakaq, Gilasbey shprehet optimist për arritjen e objektivit, teksa shpreson që edhe kushtet e motit të jenë favorizuese në mënyrë që e gjithë kjo punë e bërë deri më tani të prodhojë një rezultat sa më pozitiv.

“Stadiumi është ndërtuar nga inxhinierë të ndryshëm, që nuk e kanë marrë shumë në konsideratë barin. Rrezet e diellit nuk bien në një pjesë të fushës, por që bari të rritet normalisht ka nevojë për dritë. Për këtë arsye ne kemi sjellë këto drita që do të ndihmojnë në rritjen normale të barit.
Për ndeshjen e marsit me Anglinë, mendoj se fusha do të jetë më e mirë nga sa ka qenë. Ne po përpiqemi të përmirësojmë fushën me ndihmën e dritave dhe duke mbjellë një lloj tjetër bari, duke shpresuar që tapeti do të lidhet mirë me shtresën poshtë përmes barit.
Kam shumë besim, por edhe kushtet e motit duhet të jenë të duhurat në javët e ardhshme që bari të rritet sa më mirë”, – deklaroi ndër të tjera specialist i UEFA-s për fushat e futbollit, Matthew Dean Gilasbey.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *