Viroza gripale duket se ende nuk është larguar përfunduar nga Skënderbeu. Dje, në stërvitjen e parë post Kukësi, ka pasur sërish mungesa, që vinin pikërisht nga gjendja gripale. Mesfushori Sabjen Lilaj vazhdon të mungojë. Po ashtu edhe Muzaka dhe Vila, lojtarë që u aktivizuan në pjesën e dytë të ndeshjes së të shtunës me Partizanin, nuk janë stërvitur dje me grupin. Muzaka ka marrë pushim, kurse Vila thjesht ka kryer 20 minuta stërvitje. Sot të dy lojtarët pritet t’i bashkohen grupit në Durrës. Suad Sahiti është një tjetër lojtar, i cili vazhdon të jetë i prekur nga kjo virozë, ndërsa Leonit Abazi është rikthyer dhe dje ka kryer vrapime.
Dy titullarët e tjerë, Vangjeli dhe Mici, që mezi e përballuan takimin e fundit, dje kanë kryer vetëm masazhe. Deri të mërkurën, pjesa më e madhe e futbollistëve pritet ta kenë kaluar këtë gjendje dhe të jenë gati për trajnerin Ilir Daja. Pas një mungese katërditore, pritet që sot të bashkohet me grupin edhe Sabjen Lilaj. Gjendja gripale ishte më e rëndë për këtë lojtar, prandaj dhe mungoi ndaj Partizanit. Trajneri Daja e pret sot korçarin të jetë në stërvitje.
Gjithsesi, mbetet për t’u parë, nëse Lilaj do t’ia dalë për t’u nisur drejt Durrësit apo jo. Kjo ishte situata e parë më e rëndë që ka kapur Skënderbeun, një virozë që preku gati 80% të lojtarëve. Shumica kthehen deri të mërkurën, por sigurisht që nuk mund të jenë në 100% të formës së tyre.