Vata: Vllaznia e meritoi rënien, e turpshme ndeshja në Korçë

Rudi Vata e pranon qetësisht rënien e  Vllaznisë së tij nga Superiorja. Një rënie e gatuar prej kohësh, jo thjesht këtë sezon, ndaj ish-mbrojtësi i famshëm nuk ka ankesa, duke folur për “Rubrikën Sportive” në RTSH: “Në një farë mënyrë ishin përgatitur, u vërtetua që Vllaznia nuk ka kapacitetin për të qëndruar. I gjithë opinioni ishte i përgatitur për këtë situatë që u bë realitet, jo se ishte surprizë e madhe. Ishte deri diku e pritshme, e trishtueshme për qytetin e Shkodrës, tifozët, historinë e futbollit shqiptar. Tani është tepër vonë për të diskutuar e analizuar gabimet, e dimë të gjithë si ka funksionuar”.

Vata nuk pranon as fitore të shëmtuara si ajo në Korçë: “Kur e pashë kronikën e ndeshjes mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e kuptova se çfarë ka ndodhur. Nuk besoj se ka ndonjë person që nuk e kuptoi se çfarë ka ndodhur. Vllaznia nuk ka nevojë për mëshirë, pasi kjo ndodhi me të. Ndeshjen ndaj Skënderbeut mund ta quaj një cirk dhe mund të them se unë ndihem i turpëruar”.

Për Vatën, Vllaznia duhet të zgjidhë problemet brenda saj: “Problemi më i madh në Shkodër janë njerëzit brenda familjes, që gjithmonë kanë prishur punën e skuadrës. Ai person që ka vendosur të më largojë mua, atëherë ai mori përsipër një të keqe të Vllaznia. Shkatërrimi i Vllaznisë ka nisur që nga momenti kur Fushaj është larguar nga klubi dhe u ra në dorën e bashkisë. Ish-kryetari i bashkisë së Shkodrës, Luka nuk donte të më largonte, por për interesa të ndryshëm politikë u detyrua që të më largonte. Njerëzit që shkatërruan Vllazninë sot janë të lumtur, por mbeten njerëz të vegjël”.

Për trajnerët e sezonit aktual, asnjë fjalë të keqe: “Cungu u propagandua se ishte trajner i ri i mirë, një shkodran i vërtetë që i ka njohur mirë shkodranët e më pas vazhdoi me një trajner kampion si Gjoka. Kur ke dy trajnerë të mirë, si ka mundësi që nuk krijon dot një ekip të mirë. Financat nuk munguan, por, në Shkodër ka njerëz që zgjohen në mëngjes dhe mendojnë si të shkatërrojnë Vllazninë. Futbollistët që kanë kualitet të mirë harxhojnë kohën në bixhoz. Unë gjatë eksperiencës sime si trajner, më ka ndodhur që lojtarët kanë luajtur letra deri në 3 të mëngjesit, ndërkohë që kishin ndeshje të rëndësishme, si ajo kundër Skënderbeut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *