Figura e njohur e Kombëtares së Shqipërisë, ka komentuar situatën e fundit që ka prekur gjithë botën. Flitet për pandeminë e COVID-19 dhe ndikimin e saj në futboll. Në një intervistë për “ABC News”, Vata shprehet se kryeministri Rama duhet të lërë krahasimet e Kombëtares që pëson gol në minutë të fundit dhe të shohë autogolat e Qeverisë. Ndërkohë mbështet edhe qendrimin e Federatës Belge për të mbyllur kampionatin duke e quajtur si zgjidhje perfekte, megjithëse kreu i UEFA-s tha se kush e ndiqte këtë model, atëherë rrezikonte seriozisht garat europiane.
“Shteti shqiptar ka probleme shumë të mëdha, pas periudhës së tërmetit, tani është periudha e Koronavirusit. Jemi shtet i paorganizuar, nuk jemi të fuqishëm. Kryeministri mori shembull golin në minutën e fundit te kombëtarja, por nuk duhet të merret me ekipin kombëtar. Të merret me golat që Qeveria vetë ka bërë në këto vite në pushtet. Opozita nuk ka qenë kundërshtar i fortë për t’i shënuar gola kësaj Qeverie. Vetë shteti ka bërë autogola gjatë këtyre viteve.
Për mendimin tim, Federata Belge ka bërë një zgjidhje perfekte. Nuk dihet sa do të zgjasë kjo situatë, pasi deri më tani, askush nuk ka formulë shpëtimi. Kësaj beteje, duhet t’i dalim të mbijetuar, jo të fituar. Belgjika ka menduar për jetën dhe jeta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, ka thënë Vata. /Sport Ekspres/