Armand Duka ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Fair Play“ të moderuar nga Enkelejda Zeko. Gjatë intervistës së tij, presidenti i FSHF-së foli mbi sezonin e ri që nisi këtë fundjavë, Ligën Profesioniste, privatizimi i klubeve, përdorimi për herë të parë i sistemit VAR, Kombëtaren si dhe për zgjedhjet e reja për kreun e qeverisë shqiptare të futbollit.
“Sezoni ka veçoritë e veta, sepse fillon me kthimin e tifozëve në shkallët e stadiumit, në ndryshim nga viti i kaluar. Sot kam ndjekur ndeshjen e Egnatias me Kukësin në një impiant të ri dhe modern, simpatik për Rrogozhinën, në vazhdim do i shtohen kampionatit edhe dy impiante moderne, ai i Kukësit dhe i Partizanit. Jo vetëm për futbollin, por për gjithçka urojmë që infektimi të jetë sa më i pakët, megjithëse lajmet e fundit nuk janë në favorin tonë. Nëse situata do të rëndohet patjetër që do kemi protokolle ndryshe. Do respektojmë shëndetin e njerëzve dhe të spektatorëvve.
Ne kemi bërë gjithcka është e mundur që Liga Profesioniste të lindi dhe të forcohet. Është në dorën e tyre për të pasur një produkt sa më të mirë dhe sa më të shitshmë. Ata që duhet ta çojnë më tej stafetën janë vetë drejtuesit e klubeve bashkë me administratorët e tyre.
Sapo kemi filluar, është java e parë që këmi përdorur teknologjinë në marrjen e vendimit. Java e parë ka qenë e suksesshme. Qoftë për teknologjinë, qoftë për njerëzit që e përdorin atë duhet ditë pas dite të përmirësohen për të qenë më efikas. Mendoj që do na ndihmojë për mirë. Është një diskutim, bota e gjerë e futbollit e ka diskutuar nëse duhet apo jo përdorimi i teknologjisë. Por përderisa bota e ka vendosur kështu, mendoj se është diçka e mirë. Por që nuk do i eliminojë diskutimet, pasi gjyqtari merr vendime edhe për ato momente ku nuk përdoret teknologjia.
Klubet e Superiores janë të privatizuar tashmë. Edhe klubet e Kategorisë së Parë një pjesë. Edhe ligji kështu e kërkon. Kjo nuk do të thotë që bashkitë të heqin dorë nga sporti. Është detyrë e tyre të mbështesin sportin. Nëse nuk janë vendimmarrës në klub kjo nuk do të thotë që të mos i mbështesin. Ata që praktikojnë sportin janë taksapagues dhe i takon pushtetit ti kthejë diçka atyre. Nëse kemi një shoqëri sportive do të kemi një shoqëri më të shëndetëshme.
Ekipi kombëtar është në një gjendje të mirë, përbërje të mirë, gërshetim të futbollistëve në moshë të re me ata me eksperiencë, e ka bërë atë të prodhojë një lojë mjaft emocionuese. Objektivi për të qenë të dytët në grup mbetet i vështirë. Kemi dy kundërshtarë jashtëzakonisht të vështirë, njëra me një yll të futbollit Levandovskin, siç është Polonia. Nëse këmi të njëjtën gjendje, shpresoj të mos kemi dëmtime dhe surpriza deri në tetor, jam i bindur që do të kemi spektakël dhe rezutlate pozitive.
Këto që folëm deri tani janë shumë të rëndësishme, kemi shumë projekte të nisura për të përfunduar, stadiumi i Kukesit, bashkëpunime me Partizanin për vazhdimin e disa projekteve të tjera. Energjitë në 2021-shin do i shpenzojmë me këto. Në 2022-shin do të mendojmë për 2022-shin”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/