VAR dhe letër higjienike, një mbrëmje e çmendur Bundeslige

Në futboll është e vështirë të gjesh gjëra për të cilat mund të thuash “këtë nuk e kishim parë kurrë”, por me sa duket ka gjithnjë gjëra të reja e shpesh absurde që të lënë pa fjalë. Dje ndodhi në majën e futbollit botëror, në Bundesligën gjermane, aty ku gjithçka është perfekte… pothuajse!

Luhej Mainc-Frajburg, finale mbijetese, ndedhje nga ato që rëndom quhen 6-pikëshe. Pas 45 minutash pa raste të pastra, mbaroi pjesa e parë. Të gjithë në dhomat e zhveshjes, por… prisni, diçka ndodhi. Arbitri urdhëroi skuadrat të ktheheshin në fushë. Arsyeja? Arbitri shtesë, ai që quhet VAR dhe qëndron para ekranit, sinjalizoi një prekje me dorë të topit në zonën e Frajburgut.

Natyrisht, mund ta lajmëronte me herët arbitrin, i cili ktheu skuadrat në fushë dhe urdhëroi penallti, mes habisë se përgjithshme. 7 minuta pas fundit të pjesës së parë, GOL. E pabesueshme, këtë nuk e kishim parë kurrë dhe interneti u çmend. Ky është VAR? Imagjinoni të ndodhin skena të tilla në Kupën e Botës këtë verë, sepse do të përdoret VAR.
Ndërkohë, pushimi i ndeshjes u zgjat pa fund, sepse tifozeria e Maincit kishte planet e veta. Ashtu si në fillim të ndeshjes, letër higjienike në fushë si protestë për vendimin e federatës gjermane për të luajtur ndeshje Bundeslige të hënën.

Edhe 10 minuta shtyrje për fillimin e pjesës së dytë sa u pastrua fusha, ndeshja u bë lëmsh. Në fund fitoi Mainci 2-0 dhe nëse Frajburgu bie nga Bundesliga, mund të thuhet pa frikë se e rrëzoi VAR-i dje. Pas ndeshjes shefi i arbitrave në Gjermani kritikoi arbitrat e ndeshjes, duke e quajtur një situatë absurde, që duhej evituar patjetër, pak rëndësi ka nëse ishte penallti, pasi duhej koordinim më i mirë dhe me i shpejtë. Ndërkaq, në Angli klubet e kanë refuzuar VAR-in për sezonin e ardhshëm. E kanë gabim?

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *