Mbrojtësi i korçarëve thekson se të gjitha forcat janë përqendruar te ndeshja e sotme me Jang Bojs
Mbrojtësi korçar, Kristi Vangjeli, është në një formë shumë të mirë dhe nesër do të jetë patjetër titullar në të djathtë. Lojtari me përvojë mendon se Skënderbeu është në gjendje të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe pse jo të marrë edhe fitoren e parë në grup. “Skënderbeu ka përvojë tashmë në ndeshjet europiane. Me Dinamon e Kievit kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë në transfertë. Mendoj se e kemi forcën si skuadër për të arritur diçka më shumë se thjesht pjesëmarrja në fazën e grupeve. Kemi përballë skuadra shumë të forta, por për Skënderbeun asgjë nuk është e pamundur. Shpresoj shumë që ndaj Jang Bojs të mos kemi të njëjtin fat si në Kiev. Mendoj se edhe barazimi është një rezultat i mirë për ne në këtë ndeshje të dytë në grup. Të gjitha forcat tona duhet t’i përqendrojmë te ndeshja e nesërme me Jang Bojs, duke mos menduar fare për sfidën e të hënës ndaj Kukësit. Për momentin, më e rëndësishme është ndeshja ndaj skuadrës zvicerane. Kundërshtarin e kemi ndjekur dhe bëhet fjalë për një ekip, që duhet vlerësuar maksimalisht. Asnjëherë nuk duhet të kemi frikë dhe duhet të bëjmë lojën tonë në çdo ndeshje”, – u shpreh gjatë konferencës së djeshme në Elbasan titullari i Skënderbeut. Prej tij dhe gjithë lojtarëve të tjerë të ekipi korçar pritet një paraqitje e mirë sot në mbrëmje dhe një rezultat pozitiv.