Legjendari Marko van Basten është ndër holandezët e paktë aktivë në Kupën e Botës, sepse është pjesë e organeve drejtuese të FIFA-s, por nuk e fsheh zhgënjimin që në Botëror nuk janë Holanda e tij dhe Italia, vendi ku ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës dhe është shumë i lidhur shpirtërisht.
Megjithatë, në një intervistë për Gazzetta dello Sport ish-sulmuesi i famshëm tregohet i sinqertë: “E dhimbshme të shohësh Botërorin pa Italinë e Holandën, por nuk e meritojnë të jenë në Kupën e Botës. Kur i pashë në miqësoren e luajtur në Torino, pashë dy skuadra shumë modeste e pa cilësi”.
Van Basten analizon momentin e Italisë: “Italia është një skuadër në vështirësi, ashtu si Holanda ime. Të dyja janë jashtë, por Italisë i dhemb më shumë, sepse e sheh futbollin si fe. Ndeshjet kundër Suedisë ishin të dhimbshme për t’u parë, asnjë ide në fushë. Mungojnë talentet, mungojnë edhe liderët, sepse është vetëm Bufon, që është portier, ndërsa mungon boshti”.
Po Seria A? “Juventusi është transformuar në një klub elitar, dominues si Milani im, por me një ndryshim të madh, nuk fiton në Europë. Tani është Reali mbreti, ashtu si ishte Milani para tre dekadash. Milani po përjeton një moment mjaft të vështirë, nuk është më italian, ndryshe nga koha ime, kur ishte Berluskoni dhe ishim vetëm tre holandezë në ekip. Tani as pronarin nuk e njoh dhe Milani mund të përjashtohet nga Europa”.