Vajushi e dëshironte shumë transferimin, menaxheri i mohon të gjitha kontaktet

Zëra të shumtë ka pasur për një rikthim të Armando Vajushit në Itali, për t’u bashkuar sërish me ekipin e Avellinos. Futbollisti shqiptar, i cili që prej kësaj vere është një lojtar i lirë, duke mos qenë më pjesë e skuadrës së Teutës, e ka bërë të qartë disa herë dëshirën e tij për të veshur edhe një herë fanellën e klubit italian, megjithëse këta të fundit aktualisht luajnë në Serinë C.

Vajushi ka shpërndarë disa kohë më parë edhe një foto të tijën në rrjetet sociale, me fanellën e Avellinos dhe duke shtuar një zemër me ngjyrën simbolizuese të ekipit italian, atë jeshile, një ujk, që është edhe pjesë e stemës, dhe një telefon. E gjithë kjo e tregonte pastër se lojtari shqiptar ishte në pritje të një telefonate.

Por në Itali, një transferim i shkodranit sa vjen e bëhet më i largët. Madje mediat italiane kanë kontaktuar edhe me agjentin e Vajushit, Sokol Haxhia, i cili i mohon kontaktet e klubit me lojtarin e tij. Pra, duket se futbollisti shqiptar nuk do të mund të bëhet pjesë e skuadrës së Avellinos, pavarësisht dëshirës së tij të madhe./Sport Ekspres/