Artan Hoxha ishte i ftuar në studion e emisionit “Dueli Sportiv” në “RTV Dukagjini”. Gazetari shqiptar ka analizuar listën e përzgjedhur nga Silvnjo në prag të Kampionatit Europian. Hoxha beson te zgjedhjet e trajnerit të Kombëtares, për të cilin thotë se në Euro 2024 nuk luan vetëm për Shqipërinë, por edhe për karrierën e vetë. Hoxha gjithashtu mbështet zgjedhjen e Silvinjos për të lënë jashtë Myrto Uzunin, pasi sipas tij, lojtari berates penalizohet nga skema e kuqezinjve.
“Ai ka bërë një listë në bazë të skemave që ai ka në kokë për të përballuar kundërshtarët. Tre kundërshtarë do të jenë atje. Ai e di se me kë do luajë me Italinë. Madje ai ka menduar edhe se cili do të jetë formacioni i Italisë. E ka marrë Abrashin vetëm për 1 apo 2 lojtarë të Italisë. Ai po luan për veten, nuk po luan për Shqipërinë. Ai ka vënë reputacionin e tij. E di që po të bëjë një surprizë tjetër në Europian, keni për ta parë sa lart ka për të shkuar.
Në këtë moment, Arbër Hoxha është më i vlefshëm për skemën e Shqipërisë se sa Uzuni. Myrto Uzunin në Kombëtaren e Shqipërisë e penalizon skema. Me skemën që luan Shqipëria, Uzuni me parametrat që ka është një lojtar shumë punëtor, një lojtar shumë teknik. Është një lojtar që luan para-mbrapa, një lojtar që e njeh portën. Por Shqipëria nuk është Granada që të jep mundësinë të dalësh 5-6 herë te porta. Ne kemi një 1 rast të plotë dhe 2 gjysmë raste. Ato duhet t’i shfrytëzojmë. Uzuni e ka rendimentin jo të lartë për Shqipërinë dhe unë mendoj që më mirë të investojmë te Arbër Hoxha”, ka deklaruar Artan Hoxha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/