Dita e sotme do të shënohet me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar. Nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që u zhvillua në Qipro, erdhën dy lajme fantastike për Shqipërinë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u zgjodh në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s, një arritje historike dhe që ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Ndërsa lajmi tjetër ishte vendimi i UEFA-s për t’i besuar FSHF-së pritjen dhe organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17 në Shqipëri. Një moment historik që flet qartë për zhvillimin domethënës që ka përjetuar futbolli shqiptar në gjithë këto vite e që janë vlerësuar nga UEFA përmes turneve të shumta ndërkombëtare që i ka besuar FSHF-së ndër vite.
Sigurisht, reagimi i komunitetit të futbollit shqiptar ka qenë i menjëhershëm, veçanërisht për zgjedhjen e Presidentit Duka si numrin dy të qeverisë së futbollit europian. Të gjitha klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” apo edhe të Kategorisë së Parë kanë uruar kreun e FSHF-së përmes mesazhe publike të publikuara në profilet zyrtare në rrjetet sociale.
“KF Tirana i dërgon urimet më të përzemërta presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka për zgjedhjen si Zv.President i UEFA-s. Suksese z. President në këtë arritje të madhe për futbollin shqiptar”, shkruan KF Tirana në mesazhin e saj.
Edhe klubi i Vllaznisë me një mesazh të presidenti kuqeblu, Alban Xhaferri ka vlerësuar këtë arritje si një lajm të shkëlqyer. “Klubi i Futbollit Vllaznia, presidenti Alban Xhaferi, dëshiron të urojë për zgjedhjen si njeriu i dytë më i rëndësishëm i qeverisë së futbollit evropian, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit z. Armand Duka. Jemi të bindur se ky është një lajm i shkëlqyer që vjen pikërisht në këtë ditë të rëndësishme për futbollin shqiptar kur UEFA i besoi Shqipërisë dhe organizimin e Kampionatit Europian për 17 vjeçarët në vitin 2025”, – shkruan ndër të tjera klubi shkodran.
Një urim i përzemërt edhe nga KF Partizani për këtë sukës të Presidentit Duka në skenën ndërkombëtare. “Partizani përshëndet zgjedhjen e Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka si Zv.President i UEFA-s. Për herë të parë në historinë e vet, futbolli shqiptar do të ketë përfaqësuesin e tij në rangjet më të larta drejtuese të Institucionit evropian të futbollit. Partizani dëshiron ti përcjell urimet më të sinqerta presidentit Armando Duka, duke i uruar shumë suksese në detyrën e re. Padyshim ky është një tjetër sukses i madh për futbollin shqiptar”, – shkruhet në mesazhin e klubit kryeqytetas.
Presidenti i KF Egnatias, Agim Demrozi gjithashtu e cilëson vendimin e sotëm të UEFA-së historik, teksa shkruan në mesazhin e tij publik: “KF Egnatia dhe Presidenti z. Agim Demrozi urojnë kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit për arritjen historike në postin e zv. Presidentit në UEFA. Ky është një hap përpara për të gjithë aktorët e futbollit në vendin tonë. Urime dhe sa më shumë suksese z. Armand Duka”.
FK Kukësi është klubi i radhës që duartroket zgjedhjen e Presidentit Duka, teksa shkruan në profilin zyrtar në Facebook: “Një urim i madhe shkon për Presidentin z. Armand Duka për këtë arritje të madhe për futbollin shqiptare! Urimet më të përzemërta President!”.
Klubi i Skënderbeut “uron presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit për pozicionin e tij të ri si zv. President i UEFA-s! Suksese në detyrën e re! Një sukses i madh për futbollin shqiptar!”, ashtu si edhe KF Teuta që në mesazhin e saj shkruan: “KF Teuta dhe vetë presidenti Edmond Hasanbelli përshëndesin zgjedhjen e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka si zëvendës president i UEFA-s. Partneriteti ynë me UEFA-n mbetet një element bazik. Vlerësimi dhe njëherësh besimi që anëtarët e KE në UEFA i dhanë z. Duka është jo vetëm një zhvillim historik por edhe produkt i progresit dhe angazhimeve të deritanishme të FSHF me UEFA-n e FIFA-n”.
“Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Z. Armand Duka është zgjedhur si zëvendës president i UEFA. Klubi i Erzenit i shpreh përgëzime presidentit të FSHF-së për përfaqësimin e futbollit Shqiptar në skenat me te larta Europiane dhe uron në suksese të mëtejshme”, shkruan klubi shijakas në një reagim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, mesazhe të shumta urimi në adresë të Presidentit Duka kanë ardhur edhe nga klube të Kategorisë së Parë si AF Elbasani, KF Bylis, Kastrioti, etj.