Pavarësisht dështimit të Milanit në ndeshjen e parë me Interin në gjysmëfinalen e Champions League, Shevçenko beson ende te përmbysja. Legjenda e kuqezinjëve mendon se rezultati 0-2 mund të zhbëhet nëse ekipi i Piolit luan si në pjesën e dytë.
“Unë jam pozitiv, duhet të harrojmë pjesën e parë. Në të dytën kishte reagim, me shpirtin dhe qëndrimin e duhur, me një plan ndeshje. Rikthimi duhet të jetë si pjesa e dytë, mund të luash shanset në atë mënyrë. Pioli? Ka shumë presion, por kam respekt për të.
Puna që ai bëri në Milano, me Skudeton dhe gjysmëfinalen e Champions League është pozitive. E njeh mirë ekipin, duhet t’i besojmë atij. Në kthim, duke luajtur si në të dytën, mund të ndodh gjithçka”, tha Shevçenko. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/