Vendimi i FIFA-s për të paralajmëruar kroatët Vukojeviç e Vida dhe për të gjobitur të parin me 15.000 euro, për shkak se në një video në Instagram përdori parullën “Lavdi Ukrainës”, ka tërbuar gjithë ukrainasit.
Federata Ukrainase e Futbollit ka premtuar se do ta marrë vetë përsipër pagesën e gjobës, që në Ukrainë mendojnë se është vendosur vetëm për të qetësuar rusët (parulla është edhe kundër tyre, me dy vendet që ka kohë që janë në gjendje lufte).
Ndërkaq, tifozët e thjeshtë ukrainas kanë shënjestruar faqen zyrtare të FIFA-s në Facebook, duke shkruar “Lavdi Ukrainës”, ndërsa kanë vlerësuar shumë keq faqen, te pjesa ku mund të vlerësosh një faqe me një deri në 5 yje.
Sot FIFA kishte 159.000 vota me 1 yll (vetëm 16.500 vota me 5 yje), një sulm i paparë nga ukrainasit, ndaj FIFA vendosi ta fshijë fare hapësirën ku bëhet vlerësimi i faqes.