Në raportin e ardhur nga UEFA në lidhje me hetimin që mund të dënojë Skënderbeun me 10 vite nga kupat e Europës, ka disa pasazhe të një rëndësie të jashtëzakonshme, që fundosin të gjithë, klubet, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe shtetin shqiptar.
“Para 4 vitesh UEFA nisi një bashkëpunim me policinë dhe hetuesit e nivelit më të lartë në Shqipëri, për t’u dhënë mbështetje dhe informacion në lidhje me sjelljen e paligjshme të Skënderbeut dhe drejtuesve të këtij klubi. Duhet theksuar se UEFA ka kompetencat që të ndërhyjë në nivel shtëpiak, në rast se federatave vendase nuk merr masa në lidhje me shkelje serioze të statutit të UEFA-s. Për fat të keq, rasti i Skënderbeut ishte i tillë. U zhvilluan takime me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, ashtu si me Ministrin e Arsimit dhe Sporteve në periudhën 2013-2014, duke u kërkuar mbështetje në hetimin ndaj Skënderbeut.
“Nuk gjetëm bashkëpunim dhe në këtë kontekst, mund të japim një shembull që është mëse i mjaftueshëm për të ilustruar mungesën totale të bashkëpunimit nga ana e autoriteteve shqiptare. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes UEFA-s e Policisë Austriake, UEFA u informua në lidhje me vështirësitë e hasura nga policia austriake gjatë hetimit mbi manipulimin e mundshëm të një takimi miqësor të KS Teutës në Austri, ku u zbulua se hetimi në Shqipëri nuk kishte vlerë dhe nuk do të arrinte asnjë qëllim, sepse të dyshuarit ishin informuar në lidhje me hetimin nga policia shqiptare. Raporti i Policisë Austriake thotë: “Hetimi i mëtejshëm në Shqipëri duket se nuk ka më vlerë, sepse të akuzuarit kishin marrë informacion në lidhje me hetimin fillestar nga Shefi i Policisë në Durrës”.