“UEFA ështës shumë e kënaqur me zhvillimin e arbitrimit në Shqipëri”, Elleray shpjegon seminaret: Po punojmë me pozicionin jashtë loje

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur prej ditës së djeshme seminaret me të gjithë arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Abissnet Superiore” në prag të edicionit të ri futbollistik 2022-2023.

Seminaret me bilbilat e kampionatit po zhvillohen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” e do të zgjasin për tre ditë radhazi, ku do të diskutohen tema të ndryshme me fokus jo vetëm në teori, por të gjithë arbitrat do të kalojnë edhe testet fizike.

Qëllimi kryesor i këtyre seminareve është pa dyshim përmirësimi i nivelit të arbitrimit shqiptar, teksa të gjithë arbitrat dhe asistentët do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më tepër nga lektorë shqiptarë dhe të huaj.

Një prej tyre është Drejtori Teknik i IFAB (Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit), David Elleray, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit të Arbitrave të UEFA-s, i cili ka qenë edhe gjatë vitit të kaluar në vendin tonë, ku ka zhvilluar seminare lidhur me sistemin VAR në futbollin shqiptar.

Në një prononcim për fshf.org, Elleray tregoi se niveli i arbitrimit në Shqipëri është përmirësuar shumë që nga viti i kaluar, ndërsa u shpreh se vetë qeveria e futbollit europian, UEFA është mjaft e kënaqur me zhvillimin e arbitrimit në Shqipëri. Gjithashtu, Elleray foli edhe për temat e këtyre seminareve, që nga pozicionet ‘offside’, te faullet, mbrojtja e lojtarëve dhe prekjet e topit me dorë.

Synimi i seminareve – Këto tre ditë seminar janë në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Kështu, ne sigurohemi që arbitrat dhe asistenët të jenë fokusuar te ndryshimet në lojë dhe të kenë qëndrimin dhe mendimin e duhur për sezonin e ri futbollistik në Shqipëri.

Cilat janë temat kryesore që janë diskutuar e do të diskutohen? – Kemi disa tema dhe kemi një profesor shumë të mirë nga Italia, i cili po punon kryesisht me pjesën “jashtë loje”, sepse kjo është një fushë vendimtare në futboll. Sa i përket temave të mia, dje diskutuam rreth filozofisë dhe rëndësisë së arbitrimit. A e kuptojnë asistentët e arbitrave futbollin, jo vetëm të qëndrojnë si policë, por si ‘dirigjentë’ që ta bëjnë lojën më të mirë. Do diskutojmë rreth faulleve, si të mbrojmë lojtarët dhe prekjet e topit me dorë. Këto janë temat kryesore ku ne po fokusohemi në këto seminare.

A shihni përmirësim në nivelin e arbitrimit në Shqipëri? – Edicioni i kaluar ishte një mjaft sfidues për arbitrat dhe futbollin në Shqipëri me implementimin e sistemit VAR. Me atë që shoh, ka një përmirësim të madh në mendimet e arbitrave, përmirësimin e gjendjes së tyre fizike si edhe profesionalizëm të tyre. Ata kanë një lider të fortë, i kanë të qarta mesazhet dhe po bëjnë goxha progres. UEFA është shumë e kënaqur me zhvillimin e arbitrimit në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *