Bajerni i Mynihut është vendosur nën akuzë dhe do të dënohet nga UEFA për një pushtim fushe në mbyllje të takimit kundër Realit dhe për një parullë të paligjshme shpalosur ndeshjen e mbrëmshme në Champions League.
Reali fitoi 2-1 në Allianz Arena dhe në përfundim të takimit shumë tifozë u futën në fushë, me njërin prej tyre që vrapoi drejt Frenk Riberisë, thuajse duke e rrëzuar për tokë, ndërkohë që e ndalën forcat e sigurisë.
Më pas, një tifoz iu afruar Toni Krosit, ndërsa disa të tjerë tentuan të bënin foto me Krosin dhe Ronaldon.
Bajerni është në telashe edhe për shpalosjen e një baneri të konsideruar ofensiv. Çështja do të shqyrtohet më 31 maj dhe klubi gjerman do të paguajë një gjobë të majme, me shumë gjasa.