UEFA do mbylljen e sezoneve, zyrtari i FIFA-s kundër rinisjes: Nuk është çështje parash po jetë a vdekje, bota nuk është gati për futboll

Klubet e futbollit, ashtu si e gjithë bota, po përballet me një situatë të padëgjuar ndonjëherë. Me sezonin të ndërprerë dhe me një faturë financiare që do të godasë direkt arkat e tyre, skuadrat po përpiqen të bëjnë ç’mos që të shpëtojnë kampionatin. Dëshira për tu rikthyer sërish është e madhe dhe të gjithë po përpiqen që në dy muajt e parë të verës të mbyllin atë çfarë është lënë përgjysmë. Madje ky është edhe vullneti i UEFA-s, ndërsa mendim të kundërt ka kreu i Komitetit Mjekësor të FIFA-s, D’Hooghe.

Ky i fundit shprehe për “Sky Sports” se e mira do të ishte që futbollistët të zbrisnin sërish në fushë në shtator për sezonin e ardhshëm. Sipas tashmë nuk është çështje parash, por jetë a vdekje dhe për këtë arsye kampionatet nuk duhet të rifillojnë. Aq më tepër në një sport si futbolli ku kontakti është i pashmangshëm, gjë që bie ndesh me masën kryesore të mbrojtjes nga virusi, atë të ruajtjes së distancës prej 2 metrash.

“Bota nuk është gati për garat e futbollit. Shpresoj që gjithçka të ndryshojë shumë shpejt, por sot duhet më tepër durim. Është situate më dramatike që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk duhet ta nënvlerësojmë, duhet të jemi realist. Futbolli mund të jetë i mundur vetëm kur kontakti të jetë i mundur sërish. Futbolli mbetet një sport kontakti dhe shmangia e tij është gjëja e parë që kërkohet tani. Nëse një lojtar rezulton pozitiv, atëherë duhet të vendosim të gjithë grupin në izolim. A është kjo një zgjidhje për një kompeticion normal? Nuk është një çështje parash, është çështje për jetë a vdekje”, ka thënë D’Hooghe./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *