Tirana, ashtu si në sezonin e fundit në Superiore, gjendet në një situatë të vështirë në kampionat. Në krahun tjetër bardheblutë janë kualifikuar në finalen e Kupës së Shqipërisë. Fitimi i trofeut dhe rënia në të Parën sërish do të ishte diçka e papranueshme në kampin bardheblu. Askush nuk e do një situatë të tillë.
UDHËKRYQI – E shtuna, dita e përballjes me Kastriotin. Tirana e ka detyrim fitoren, që në njëfarë mënyre do siguronte mbijetesën në elitë. Luajnë në shtëpi, edhe pse në një stadium të boshatisur. Lojtarët e kanë të qartë se duhet të bëjnë më të mirën ndaj një ekipi që nuk ka së çfarë humb.
Nga rezultati i ndeshjes me Kastriotin varet edhe fati i Tiranës sezonin e ardhshëm. Presidenti Refik Halili dhe bashkëpunëtorët e tij do mendohen mirë për ata me të cilët do të vazhdojnë bashkëpunimin. Largimet pritet të jetë të shumta dhe këtë e fakton edhe ajo që ai vetë ka deklaruar pak kohë më parë, ku u shpreh se ka arritur marrëveshjet me katër futbollistë.
Nga grupi aktual kontratat me Majkëll Ngo dhe Edon Hasanin janë ato që duhen riparë. Anglezi del lojtar i lirë, por ende nuk ka një marrëveshje të re. Ndryshe situata me shkodranin. Kontrata që ka nënshkruar në verë ishte 1+1 dhe mbetet për nuk dihet nëse “+1” është në dorë të klubit apo të lojtarit.
Tirana e këtij sezoni ka shfaqur shumë probleme dhe përforcimi me elementë cilësore, sigurisht edhe mbajtja e më të mirëve e grupit aktual, tanimë kthehet në një objektiv kryesor të drejtuesve bardheblu. Sigurisht nga e diela do të mendohet edhe më qartë, pasi të dihet edhe situata në kampionat e 24 herë kampionëve të vendit.