Shqipëria është rikthyer te fitoret. Kuqezinjtë e kanë nisur me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve. Ekipi i drejtuar nga Silvinjo ka marrë fitoren e parë në histori ndaj Ukrainës, të cilën e mposhtën me rezultatin 1-2 në Pragë. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”-it.
Silvinjo: “E besoja fitoren, ua thashë edhe lojtarëve. Dikush më pyeti: ‘A hyn për të barazuar’. Në futboll luhet për të fituar. Ukraina është një skuadër e fortë, teknike dhe shumë e organizuar. Por edhe ata lënë diçka dhe ne e shfrytëzuam. Bajrami është një lojtar që mund të bëjë gjithçka. Ai mund të luajë si një trekuartist, si një mexala hybrid, si një anësor, siç bëri sot. Është përmirësuar shumë edhe në lojë pa top. Jemi shumë të kënaqur me të. Është një talent. Kemi punuar shumë bashkë me stafin për të arritur në këtë pikë ku jemi tani. A mund të luajnë Asani, Bajrami, Muçi dhe Hoxha bashkë? Sipas meje futbolli modern shkon në këtë drejtim. Kur sheh skuadrat e mëdha, Sitin, Liverpulin, Arsenalin, sheh lojtarë që luajnë shumë mirë edhe në lojën pa top. Futbolli ka ndryshuar shumë në këto 10 vitet e fundit. Luajnë më të mirët, por që duhet të bëjnë shumë edhe në lojën pa top”.
Ismajli: “Kemi besuar që kemi mundësi për të fituar. Pak a shumë është grupi i njëjtë si para Europianit. E kemi merituar plotësisht. Në minutat e fundit është normale që u tërhoqëm, pasi po mbronim rezultatin. Unë jam shumë profesionist. Është e vërtetë që nuk kam pasur minuta në Europian, por ka qenë zgjedhje e trajnerit. E kam pranuar me sportivitet. Gjithmonë bëj maksimumin në ekip dhe Kombëtare. Isha afër golit të dytë, por më të rëndësishme ishin ato që kam pritur në anën mbrojtëse”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/