Dikur ishte një yll që shndërrinte në Londër, ndërsa tashmë është kthyer në njënga dështimet e mëdha të Realit të Madridit. Karriera e Eden Hazardit ka marrë një rrjedhë të çuditshme, por duket se faji rëndon i gjithi mbi supet e belgut. Forma fizike e tij është larg asaj që duhet të ketë një futbollist profesionist, duke flakur kështu në kosh mundësinë e karrierës për të lënë gjurmë dhe për të fituar çdo trofe si protagonist me “los blancos”.
Në një intervistë për “Dubay Eye”, John Obi Mikel ka treguar arsyen përse Hazard nuk mundi të qendronte në nivelin që të gjithë prisnin ta shihnin. Ish-lojtari i Chelsea-t ka zbuluar se belgu është futbollisti më dembel që ka njohur në jetën e tij, por në periudhën kur luante për blutë e Londrës bënte diferencën në fushën e lojës. Megjithatë, mungesa e stërvitjes ka dhënë efektet e veta, teksa Hazard prej kohësh është zhdukur nga arenat e mëdha të futbollit europian.
“Ai nuk stërvitej asnjëherë. Më i keqi. Futbollisti më dembel që kam parë në jetën time. Por më pas vinte fundjava, ai prodhonte dhe ishte lojtari më i mirë i ndeshjes”, ka thënë John Obi Mikel./Halit Delibashi-Sport Ekspres/