Lajmi kryesor i ditës së sotme ishte kalimi i ish-lojtarit të Kukësit, Sindrit Guri, tek Vllaznia e Shkodrës. Teksa një tratativë e tillë po gëzonte tifozët veriorë, vetë lojtari ka thyer heshtjen duke u prononcuar për “ABC NEWS”, ku ka hedhur poshtë të gjitha aludimet. Edhe pse Vllaznia është skuadra e tij e zemrës, ai ka thënë se këto lajme janë absolutisht të pavërteta.
“Me gjithë respektin që kam për Vllazninë e njerëzit që dëshirojnë të jem pjesë e Vllaznisë, por nuk kam pasur asnjë kontakt me askënd nga Vllaznia. Ky lajm më duket shumë i çuditshëm. Edhe po të kem ndonjë kontakt, për momentin nuk e mendoj kthimin në Shqipëri me gjithë respektin për kampionatin shqiptar”, u shpreh sulmuesi shkodran.
Momentalisht Sindrit Guri aktivizohet në Belgjikë tek skuadra e Osteende, e cila e bleu lojtarin nga Kukësi për një shifër prej 700 mijë eurosh. Sezoni i fundit për 27-vjeçarin nuk ka qenë aspak pozitiv, pasi nuk është aktivizuar shumë në fushën e lojës./Elio Hajdari-Sport Ekspres/