Një Shqipëri pa futboll është ajo që po shohim këtë muaj, ku klubet e Superiores kërkojnë t’i japin fund njëherë e mirë problematikave të futbollit shqiptar. 4 propozimet e Ligës Profesioniste të Futbollit, të cilat janë premtime të lëna në harresë të vetë Kryeministrit Rama, vijojnë të mos përmbushen nga Qeveria shqiptare, duke e bërë të vështirë mbijetesën dhe zhvillimin e sportit më të dashur të vendit tonë.
Takime janë zhvilluar edhe në prezencën e deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli, i cili ka kërkuar më tepër detaje në lidhje me 4 kërkesat e paraqitura nga ana e klubeve të Kategorisë Superiore. E për të sqaruar më imtësisht të 4 propozimet, Liga Profesioniste del më një njoftim për shtyp, ku bën me dije se ditën e nesërme do të mbajë një konferencë për shtyp në sallën e konferencave të stadiumit “Air Albania”. I pranishëm do të jetë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndërsa konferenca do të nisë në orën 11:00./Halit Delibashi-Sport Ekspres/