Një skandal u publikua në mediat e Kosovës gjatë ditës së sotme, ku pas fotove të “Kosova Press”, shiheshin lojtarët dardanë të futsallit duke konsumuar cigare. Kjo ka ndodhur para nisjes për në eliminatoret e kampionatit Europian 2022 që do të zhvillohen në Gjeorgji.
Njëri prej protagonistëve të Kosovës, Gjinovci, ka kërkuar falje nëpërmjet një letre. Atje shkruhet se cigare është konsumuar për shkak të një rasti datëlindje dhe se nuk ishin të rregullt në këtë varësi.
“Në emër të bashkëlojtarëve, unë Oso Gjinovci kërkoj falje për atë se çfarë ka ndodhur sot në aeroport, para udhëtimit tonë për në Gjeorgji. Kjo çfarë kemi bërë ne, nuk është dashtë të ndodhë, është një gabim për të cilin kërkojmë falje. Ne nuk jemi konsumues të rregullt të cigares.
Arsyeja pse ne sot jemi parë duke e bërë atë veprim, është ditëlindja e bashkëlojtarit tonë Malush Qerimi. Jemi të vetëdijshëm se ky veprim nuk është një mesazh që duhet të dërguar te gjeneratat e reja, pasi ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës, me shumë përgjegjësi dhe krenari. Ne do të tentojmë që këtë gabim, ta përmirësojmë në parket gjatë këtyre kualifikimeve. Më lejoni që ne në shumë raste kemi udhëtuar dhe kemi zhvilluar ndeshje për Kosovën me mjete financiare vetanake, këtë nuk e kemi përmendur asnjëherë dhe prapë jemi në gjendje të bëjmë një gjë të tillë, pasi për ne më e rëndësishme është fanella e Kosovës. Për fund, ju kërkoj edhe njëherë falje dhe ju garantoj se nuk do të përsëritet ky veprim në të ardhmen”, mbyllet letra. /Sport Ekspres/