Edi Martini ka komentuar humbjen e djeshme të Kombëtares shqiptare në Izrael. Ish-trajneri i Teutës, në një prononcim për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, nuk e ka bërë dramë disfatën e kuqezinjve. Martini shprehet se Shqipërinë e mundi ekipi më në formë i momentit, ndërsa më pas shton edhe mungesat e shumta si një faktor të rëndësishëm që ndikoi në rezultatin e mbrëmshëm në Tel-Aviv.
“Është bërë dramë e madhe. Është bërë sikur na ka rrahur vendi i fundit. Po flasim për një ndër ekipet më në formë të momentit, që ka ekipet që luajnë në Champions League. Një gjë që më shqetëson më shumë është se për të sharë e kemi shumë lehtë, ndërsa për të lavdëruar e kemi të vështirë. Por nëse duhet të bëj një analizë të ndeshjes, nuk e kemi luksin ne të fillojmë me 4-5 lojtarë mangët formacionin. Kemi një ndeshje jashtë që duhet ta fitojmë. Edhe Gjermania të jetë do e ketë të vështirë. Ishim të privuar në shumë aspekte. Ky mllef dhe kjo mënyrë si po e trajtojmë këtë ndeshje…
Ajo është një deklaratë që më ka bërë përshtypje. Nëse ka një çështje të tillë, nuk mendoj që duhet të dali në media. Megjithatë, flitet hapur. Fjalët që thotë Hysaj mund të jenë të vërtetë. Por jo çdo lojtar ka një lloj tipi. Jo të gjithë e kanë me agresivitet.
Që Reja ka qenë i dashuruar me skemën 3-5-2 kjo është mëse e qartë. Ne në amiente mes miqsh e kemi diskutuar që nuk është e duhura për ekipin tonë kombëtar. Ne nuk kemi një mbrojtës nga e majta, që është shumë problem. Nuk kemi një uinger të djathtë. Them se ajo që duhet të bërë është që Kombëtarja të gjejë një mbrojtës të majtë dhe një uinger nga e djathta. Kemi lojtarë shumë të mirë që mund të bëjë shumë mirë 4-3-3. Jam i bindur që të gjithë që kanë qenë në fushën e lojës ka dhënë maksimumin e vetë”, është shprehur Edi Martini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/