Internacional Tirana është fituesi i Kupës së Shqipërisë U-19 për sezonin 2021-2022. Finalja e luajtur ditën e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi” kishte vendosur përballë Partizanin dhe Internacional Tiranën, në një derbi të kryeqytetit që është mbyllur me fitoren e Internacionalit pas goditjes së penalltive, me kohën e rregullt që përfundoi në barazim 1-1.
Pjesa e parë dhuroi një ndeshje të luftuar me të dy skuadrat që më shumë u kujdesën të mos dëmtohen, por me Internacionalin e drejtuar nga Artur Shulku që në një aksion sulmues arriti të shënojë në minutën e 30-të me anë të Zajsar Arapit duke i dhënë Internacionalit avantazhin. Avantazh ky që zgjati deri në minutën e 81-të kur Partizani i drejtuar nga Reinaldo Kalari gjeti barazimin falë golit të nigerianit Ëahab Laval. Të kuqtë kishin një lojtar më pak prej 14 minutash pasi Burgaj ishte larguar nga fusha e lojës me karton të kuq, por kjo nuk i uli këmbënguljen e cila u shpërblye. Pavarësisht dëshirës së skuadrave rezultati nuk ndryshoi deri ne fund duke i çuar të dy skuadrat te goditjet e penalltive pas 90 minutash lojë.
Internacionali arriti të shënojë në 5 goditje ndërkohë që për Partizanin nga pika e bardhë gaboi autori i golit të barazimit, Wahab Laval. Në përfundim të ndeshjes u zhvillua dhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe Kupës për fituesit, të cilat u ndanë nga anëtari i Komitetit Ezekutiv të FSHF, z. Abdyl Kuriu.