Turp në Portugali, tifozët dhunojnë lojtarët e Sportingut

Ngjarje e turpshme në futbollin portugez. Rreth 50 tifozë ultras të Sportingut të Lisbonës kanë pushtuar sot ambientet stërvitore të klubit në Alkohete dhe kanë sulmuar futbollistë të ndryshëm dhe anëtarë të stafit teknik.

Pas mbërritjes në qendrën stërvitore të klubit të famshëm, ultrasit kërcënuan gazetarët e pranishëm, duke u kërkuar të mos bënin foto dhe video. Më pas, ata parkuan makinat dhe hynë qetësisht në fushë.

Atje nisën të ofendonin lojtarët, ashtu si trajnerin Zhorzh Zhezus.

Nuk mbaroi me kaq, sepse gazeta portugeze O Jogo raporton se një grup tifozësh të armatosur me rripa dhe hekura sulmuan futbollistin holandez Bas Dost, i cili mori një plagë në kokë, ashtu si Misis e Batalia.

Në momentin e sulmit, që lidhet me një sezon zhgënjyes dhe dështimin e së dielës, ku Sportingu humbi vendin në Champions Ligë sepse nuk fitoi dot në fushën e Maritimos, në ambientet e klubit nuk gjendeshin as presidenti Bruno de Karvalo dhe as drejtori sportiv Andre Geraldes.

Klubi luzitan ka publikuar një komunikatë për mediat, ku dënon ashpër ngjarjen: “Sportingu dënon ngjarjen e rëndë sot në akademinë e Sportingut. Nuk mund të pajtohemi në asnjë mënyrë me aktet vandale dhe agresionin ndaj sportistëve, trajnerit dhe stafit, as me klimën e egër rreth klubit dhe sjelljen kriminale të një grupi njerëzish. Sportingu nuk është ky, Sportingu nuk mund të jetë ky. Do të marrim masat për të zbuluar autorët e ngjarjes së rëndë dhe njuk do të lëmë askënd pa ndëshkuar”.

Ndërkaq, lojtarët akuzojnë presidentin e klubit se gjithçka ka qenë e planifikuar dhe nuk ndihen të mbrojtur, ndaj kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë finalen e Kupës së Portugalisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *