Turneu UEFA Development U-16 / Shqipëria luan ndeshjen e dytë kundër Suedisë

Shqipëria U-16 luajti pasditen e sotme ndeshjen e dytë në turneun “UEFA Development” ndaj Suedisë. Në takimin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama u mposhtën me rezultatin 1-2. Golin e vetëm për Shqipërinë e shënoi Gentian Sharka.

Trajneri Armand Dama e nisi takimin me këtë formacion titullar: Marsid Hoxha (GK), Drion Ibrahimi, Denis Nikolli, Rian Nezaj, Jon Ajvazi (C), Sebastian Sina, Angelos Como, Tom Keqi, Klevis Basha, Lorent Zhara dhe Gentian Sharka.

Suedia kaloi në avantazh në minutën e 27-të me Milo Pavlovic. Kuqezinjtë krijuan disa raste për barazim në pjesën e parë, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.

Në fraksionin e dytë të lojës, në minutën e 53-të, Shqipëria barazoi rezultatin me Gentian Sharkën. Kuqezinjtë zhvilluan një lojë të mirë dhe krijuan sërish raste, por në momentin më të mirë u ndëshkuan nga Suedia, që realizoi golin e dytë në minutën e 65-të me Maarrouf Yahya Abdou.

Në pjesën e dytë u aktivizuan për Shqipërinë edhe Muji, Hyseni, Rrena, Lajiq, Cekrezi, Mile, Sulaj dhe Xhemali. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Suedisë 2-1.

Shqipëria U-16 do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut UEFA Development ndaj Austrisë më 6 prill, në orën 11:30, në “Shtëpinë e Futbollit”.