Turneu i Përfaqësueseve Rajonale, trajnerët e Shqipërisë analizojnë pjesën e parë të sezonit

Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF mblodhi këtë të premte trajnerët e ekipeve rajonale dhe përgjegjësit e zyrave rajonale të FSHF-së për të analizuar dhe për të bashkërenduar punën për mbarëvajtjen e ekipeve përfaqësuese rajonale. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, si edhe drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta e specialistët e këtij departamenti, Sulejman Mema e Denis Lilo

Në këtë mbledhje u bë një analizë e përgjithshme rreth turneut të përfaqesueseve rajonale të zhvilluar së fundmi, mes 8 ekipeve rajonale të Shqipërisë. Trajnerët evidentuan problematikat e hasura në këtë turne, ndërsa u vlerësuan edhe aspektet pozitive të këtyre paraqitjeve në të gjitha nivelet.

Trajnerët e ekipeve kombëtare dhe përfaqësuesit e Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF riktheksuan edhe njëherë që seancat stërvitore duhet të jenë model dhe të unifikuara për të gjithë zyrat rajonale, teksa stërvitja do të vijojë të vëzhgohet dhe të asistohet edhe nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Siç dihet, qëllimi i ekipeve përfaqësuese rajonale është furnizimi me lojtarë i ekipeve Kombëtare, identifikimi e përzgjedhja e talenteve të reja që në moshë të vogël, si edhe ndjekja e talenteve vit pas vitit duke e parë ecurinë e tyre.

Trajnerët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me trajnerët e përfaqësueseve rajonale, duke shkëmbyer informacione për ecurinë e lojtarëve të evidentuar dhe për promovimin e tyre në ekipet kombëtare. Siç dihet, misioni kryesor i përbashkët është përgatitja e lojtarëve të talentuar dhe kalimi i tyre nëpër të gjitha ekipet e moshave dhe për të arritur te Kombëtarja A.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *