Turneu i përfaqësueseve rajonale/ Njihuni me kalendarin e ndeshjeve për moshat U-13, U-14 & U-15

Do të nisë nga kjo javë turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-13, U-14 dhe U-15. Ky turne ka si qëllim evidentimin e elementëve të rinj që aktivizohen në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i mëtejshëm i tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare, për të përzgjedhur më tej futbollistët e rinj të ekipeve kombëtare të moshave. Ky turne është fryt i një pune disa mujore, ku trajnerë dhe specialistë të ekipeve kombëtare ndjekin nga afër stërvitjet dhe seleksionimet e ekipeve rajonale, ku bëhet edhe përzgjedhja e talenteve të reja që marrin pjesë në këtë turne që zhvillohet dy herë në vit.

Në këtë turne do të marrin pjesë ekipet përfaqësuese rajonale të këtyre tre grup-moshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra.

Ndeshjet e grupeve do të nisin nga e hëna e 6 dhjetorit, ndërsa finalet që do të përcaktojnë fituesin e secilës grup-moshë do të zhvillohen në datat 15 dhe 16 dhjetor në stadiumet “Selman Stërmasi” ose “Elbasan Arena” ose Qendrën e Ekipeve Kombëtare, Kamëz.

Në bazë të rregullores së këtij aktiviteti, kohëzgjatja e çdo ndeshjeje do të jetë; për moshën U-13 me 2 pjesë nga 30 minuta; për moshën U-14 me 2 pjesë nga 35 minuta; për moshën U-15 me 2 pjesë nga 40 minuta. Në rast barazimi nuk do të aplikohet koha shtesë, por goditjet e 11-metërshave që do të pëcaktojnë edhe fituesin e çiftit. Ndeshjet e fazës së grupeve do të zhvillohen në Tiranë dhe Fier (Qendra Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe aneksi i stadiumit “Loni Papuçiu”).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *