Turbina dhe Gramozi! Bare qesh me Sadikun, sfidë mes humorit: Po thuaj “uno” ta fitojmë e të ikim

Nga Klaudio Ndreca

Në faqen zyrtare të Malagës është publikuar një video ku ka pasur si protagonist Armando Sadikun dhe Keidi Baren. Pikërisht ajo hyrje që kemi parë edhe në ditën e djeshme teksa këndohej himni i Shqipërisë, por që në ditën e sotme ka dalë e plotë.

Dy futbollistët kanë bërë një kuitz për të parë sesa e njohin njëri-tjetrin realisht. Për këtë arsye kanë ardhur disa pyetje dhe Sadiku me Baren do të jepnin përgjigjet e tyre. Humor dhe spektakël ka pasur, ndërsa pika kulminante ishte kur pyeteshin rreth ekipeve profesionale që kishin luajtur.

Keidi Bare ka shkruar në letër se janë 6 ekipet e Sadikut, por llogaritë nuk i dolën kur sulmuesi nisi me Turbinën dhe Gramozin. Mesfushori ka qeshur duke mos i futur në kategorinë e skuadrave profesioniste. Ndërkohë nga ana tjetër, Sadikut iu quajt përgjigja e saktë pasi në tabelë kishte shënuar vetëm 1 ekip për Keidi Baren, Atletiko Madridin, pasi Malaga nuk përfshihej.

Megjithatë Bare do të tregohej “i pashpirt” duke mos e lënë shokun e tij të fitojë, pasi do të shprehej se ka luajtur edhe me të rinjtë e Apolonisë meqë futeshin ekipet shqiptare. Duke e parë se nuk mundej ndryshe, Sadiku i thotë: “Po thuaj “uno” ta fitojmë e të ikim”. /Sport Ekspres/