Tuneli pa fund i Dinamos, një legjendë që pret të ringjallet

Klubi kryeqytetas lëngon prej vitesh dhe askush nuk “e vë ujin në zjarr”. Ka qenë i shtetit, por është braktisur dhe nuk ka më as shtëpi, duke ndjekur rrugën që mori Partizani vite më parë

Në futboll çdo gjë ka epokën e vet, por ka edhe klube legjendarë, që nuk lejon askush që të zhduken. Një ndër klubet më të mëdhenj në Shqipëri është Dinamo, themeluar në vitin 1950 dhe 18 herë kampion i Shqipërisë që atëherë, por edhe fitues 13 herë i Kupës së Shqipërisë. E thelëmoi shteti, ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme, por tashmë kjo nuk ka më asnjë vlerë, sepse pas rënies së komunizmit Dinamo ndryshoi tërësisht drejtim e menaxhim. Shekulli i 21-të nisi në mënyrë fantastike: financa të shëndosha, klub super i organizuar, kampion në vitin 2002 me një skuadër spektakolare, të aftë të thyente Tiranën dominuese të asaj kohe, por edhe Vllazninë e ndonjë klub tjetër që luftonin për titull. Kampionati u bë pronë e Dinamos edhe dy herë të tjera, para rënies në greminë dhe futjes në një qorrsokak pa fund. Por si është arritur deri në këtë pikë dhe pse nuk po dilet?

SHTETI E KRIJOI, SHTETI E VRAU

Nëse për Dinamon në kohën e Diktaturës kishte mbështetje të jashtëzakonshme nga sistemi, në vitet ’90 erdhi braktisja graduale. Të paktën nuk u prekën ambientet e klubit Dinamo, por ndërkohë stadiumi Dinamo u riemërtua “Selman Stërmasi” dhe iu dha në përdorim Tiranës, që praktikisht u bë pronare, aq sa tashmë të gjithë e quajnë shtëpia e Tiranës. Për një periudhë të shkurtër u tentua që Dinamo të ndahej tërësisht nga e shkuara, duke i ndërruar emrin në Olimpik, por ishte një gafë e rregulluar shumë shpejt. Kujt i intereson një klub me emrin Olimpik, por Dinamo ka shkruar histori që nuk duhet mohuar dhe breza të tërë kanë dhënë kontribut apo kanë qenë tifozë? Në dy dekadat e fundit Dinamo ka njohur majën dhe humnerën. Nga 3 tituj kampionë në vitet ‘2000, në fillim të dekadës aktuale erdhi “vrasja” e madhe. Në vitin 2011 Agjencia e Shërbimit të Sporteve rrëmbeu kompleksin Dinamo, me vulë e firmë nga qeveria, që pa e vrarë mendjen, ashtu si gjithë qeveritë e tjera, vendosi të vijonte shkatërrimin e futbollit, kujtoni largimin e Partizanit nga shtëpia e vet, vite para Dinamos. Partizani shkoi deri në Kategorinë e Dytë, Dinamo po flirton prej vitesh me rrezikun dhe nuk i dihet ç’do të ndodhë.

PRIVATIZIM NUK KA, POR KLUBI ËSHTË… PRIVAT

Në Shqipëri ligji për privatizimin e klubeve me siguri do të mbetet një ëndërr e largët edhe për shumë vite, duke ditur si funksionojmë si vend, por ndërkohë Dinamo nuk ekziston për shtetin. Besnik Sulaj, ai që e ringriti dhe e çoi në majën e piramidës së futbollit shqiptar, është i vetëm në luftë dhe nuk ka më as fuqinë financiare dhe as dëshirën prë ta rikthyer klubin aty ku i takon. Nëse Partizani është ringritur, ka ndodhur për shkak të sforcimit të madh të Gaz Demit, i cili gjithsesi ka miq pa fund, biznesmenë që e ndihmojnë, shumë deputetë që i dalin për zot, qoftë edhe duke u çjerrë në media, përveç ndonjë ndihme tjetër, si dhënia e tokës për ndërtimin e kompleksit të Partizanit. Këto favore Dinamo nuk i ka, askush nuk ndihet e nuk shqetësohet, përveç veteranëve, ish-futbollistëve e trajnerëve që e kanë bërë këtë klub të madh. Administratori i bluve, Ismet Saliaj, bën “cirk” për të evituar shkatërrimin e mëtejshëm të klubit dhe për të menaxhuar si duhet ato pak financa që ka në dispozicion, ndërsa Igli Allmuça, si Don Kishoti, lufton me mullinjtë e erës, sepse skuadra i prishet çdo sezon dhe çdo gjë duhet rindërtuar thuajse nga zero. Pa stadium për të luajtur në Tiranë, në kushte skandaloze për stërvitjen, me paga mjaft të ulta dhe asnjë sinjal shprese,deri tani…

 

ARRITJET E DINAMOS

18 herë kampione e Shqipërisë: 1950, 1951, 1952, 1953, 1955, 1956, 1960, 1966–67, 1972–73, 1974–75, 1975–76, 1976–77, 1979–80, 1985–86, 1989–90, 2001–02, 2007–08, 2009–10

9 herë nënkampione e Shqipërisë: 1954, 1957, 1961, 1962–63, 1963–64, 1970–71, 1980–81, 1984–85, 2003–04

13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë: 1950, 1951, 1952, 1953, 1954, 1960, 1970–71, 1973–74, 1977–78, 1981–82, 1988–89, 1989–90, 2002–03

6 herë në finale të Kupës së Shqipërisë: 1972–73, 1976–77, 1978–79, 1981–82, 2001–02, 2003–04

Dy herë fituese e Superkupës: 1989, 2008

 

RRËNIMI, PIKËRISHT KUR U NGRIT SKËNDERBEU

Sezoni 2009-2010, Dinamo triumfonte në Superiore me një rendiment të frikshëm, aq sa kampionati mbaroi në kohë rekord për Blutë, që ishin shpallur kampionë pa ardhur pranvera. Gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte, por pastaj ndodhi çmenduria. Paralelisht me vjedhjen e shtëpisë së vet, Dinamo i bëri një nder Skënderbeut që po mundohej të mbijetonte falë riorganizimit dhe mbështetjes nga biznesmenë të fuqishëm, me lidhje të forta politike. Për të qetësuar të tjerët, Dinamo humbi ndeshje pa fund, por titulli ishte garantuar. U duk se fundi i sezonit mbylli gjithçka, por pikiata e Dinamos nuk kishte nisur ende. Në sezonin pasardhës Skënderbeu i rrëmbeu lojtarët më të rëndësishëm, ndërkohë që u panë edhe skena tragjike në përballjet direkte me ekipin korçar, me Dinamon që nuk luante më futboll. Praktikisht Dinamo mori fund aty, rrënimi nisi në sezonin 2010/2011, viti i titullit të parë nga seria e frikshme e Skënderbeut. Zbritja nga kategoria u duk normale për të gjithë, ringritja nuk ka qenë asnjëherë pranë. Drejtuesit e klubit, të cilët në vitet 2000 dominuan Shqipërinë, nuk kanë më asnjë interes që të investojnë shumë të mëdha. Pa shtëpi, pa të ardhme, me rivalitet të frikshëm në Superiore, është e kotë që të shpenzohen sërish 1 milion euro në sezon, kur dihet që nuk do të kthehet pas investimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *