Trumbetimi i madh nga mediat dhe niveli i treguar në fushë, lojtarët e Shqipërisë duhet të fshijnë përgjithmonë disa minuta nga Islanda

Shqipëria e mbylli në barazim 1-1 me Islandën në transfertë. Kjo është një ndeshje perfekte nga ato që duhet të ndalesh gjatë për ta analizuar. Për më tepër që kemi edhe luksin e momentit dhe vetë situatës në të cilin ndodhemi në grup. Praktikisht kemi luajtur ndeshjen më të fortë, me këtë transfertë ndaj Islandës.

E parë në këtë prizëm, ky barazim jo vetëm që nuk ishte i keq, por bën punë për të marrë kryesimin në fundin e ecurisë të Ligës së Kombeve. Por a ishte ky maksimumi që mund të merrte Shqipëria? A dhanë lojtarët më të mirën e tyre? A e justifikuan lojtarët trumbetimin e madh të mediave për ekipet dhe kampionatet ku luajnë?

Jo edhe aq! Pjesa e parë të krijonte shumë optimizëm, megjithëse dallohej mungesa e shpejtësisë dhe befasia në kundërsulm. Reja nuk kishte asnjë lojtar të këtij tipi, ndërsa nëpërmjet kombinimeve të shumta, Shqipëria po dilte për të rrezikuar portën kundërshtare.

Pjesa e dytë ishte një tmerr i vërtetë, sidomos në 15 minutat e para. Pamja më e shëmtuar nga ky takim ishte pikërisht pas minutës së 65, ku futbollistët nisën të ecnin në fushë duke kërkuar mbylljen e takimit para kohe, për të pranuar barazimin 1-1. E kuptueshme do të ishte nëse do të vinte nga Islanda që ishte dukshëm nën nivel, kurrsesi nga ne. Nga lodhja e tepërt në këmbë dhe duke kalkuluar matematikën në mendje, nuk kishte asnjë sforco të fundit për të provuar fitoren.

Në fund është grumbulluar një pikë, e mirë për situatën e grupit, por që nuk lidhet aspak me pritshmëritë që ne kemi për Kombëtaren dhe mbi të gjitha, me nivelin që zotërojnë lojtarët. Më parë e mendonim, sot e konfirmuam, Islanda nuk vlen asgjë para Shqipërisë.

E për këtë arsye shija vjen më e hidhur sepse duke parë kundërshtarin, fitorja jo vetëm që duhej të vinte, por duhej të ishte edhe bindëse në rezultat. Ndërkohë futbollistët kanë përgjegjësinë që të tregojnë te Kombëtarja se nga vijnë duke shpalosur vlerat e tyre në fushën e blertë, jo vetëm duke i ndjekur ne nga kampionatet e huaja. Sot barazuam, por të gjithë duhet të kritikojnë veten kur të largohen për në shtëpi. Askush nuk shpërbleu besimin dhe përmbushi pritshmëritë tona./Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *