Në orën 18:00 ka nisur nga FSHF edhe strategjia “Futbolli për Kombin 2022-2025”. Në këtë event kanë marrë pjesë drejtues të FSHF, personalitetet e njohura drejtuese të ekipeve të Superiores, personazhe të ndryshme të botës së futbollit dhe njëkohësisht i ftuari i veçantë ishte presidenti i Federatës Maqedonase të Futbollit, Sejdini. Në fjalën e tij, kreu i FSHF, Armand Duka ka treguar edhe objektivat e së ardhmes nëpërmjet një plani konkret.
“I kemi vendosur vetes objektiva të rëndësishëm duke qenë koshient për kapacitetet tona dhe rolin tonë, si duke menduar për zhvillimin e futbollit në mënyrën më të mirë të mundshme. Fokusi jonë do të jenë të rinjtë dhe fëmijët. Si anëtarë të FIFA-s që nga 1932 dhe anëtar të UEFA-s nga 1954, duam të falenderojmë këto struktura për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Kemi organizuar shumë takime për të mbërritur në këtë pikë. Do të punojmë shumë dhe po punojmë shumë që t’i sigurojmë të gjitha ekipeve të Superiores dhe Kategorisë së Parë që të kenë një video analist, trajner fitnes dhe trajner portierësh të licencuar deri në 2025. Garat janë një tjetër element i rëndësishëm.
Ne jemi krenar që shkalla e konkurrencës është e lartë, në vitet e fundit kanë fituar kampionatin ekipe të rëndësishme. Gjithashtu do të përfshihet rishikimi për numrin e ekipeve që luajnë në 3 Kategori kryesore. Në 2022 do të nis Kupa Nënë Tereza me 100 ekipe nga Shqipëria dhe Kosova, event i rëndësishëm për kombin tonë, përtej sportit. Gjithashtu puna vazhdon edhe me Kombëtaren, jemi shumë krenar jo vetëm për ekipin A, por edhe moshat tona. Kemi skautë që mbulojnë gjithë Europën për t’i bërë ëndrrën realitet të gjithë lojtarëve. Jemi besimplotë se do të kualifikohemi sërish në Europian në 2024 dhe presim që të kualifikohen në elite round dhe moshat tona”, tha Duka. /Sport Ekspres/