Para disa vitesh konsiderohej si një futbollist me të ardhme dhe ishte pjesë e kombëtareve të moshave, por në vitin 2015 luajti pak minuta në një ndeshje të humbur thellë nga Shqipëria U-21 dhe u zhduk nga harta. Bëhet fjalë për Maldin Ymerajn, mesfushor 22-vjeçar, i cili prej vitit 2015 humbi pa gjurmë, ose më saktë dihej ku ishte, por kalimi në divizionin e tretë suedez tek Akropolis nuk ishte ndonjë hap gjigant përpara.
Pas tre vitesh aty, sepse u la i lirë nga Panathinaikosi (kaloi pak muaj në huazim te Fostiras), Ymeraj nuk ka bërë dot më lart dhe tashmë ka ardhur në Shqipëri, duke nisur stërvitjen me Kukësin. Ndonëse në aktivitet dhe me kalendar të ngjeshur, te kampionët del koha për të bërë edhe prova, sepse Ymeraj nuk është i pari lojtar që bashkohet në stërvitje pa e ditur askush kush ishte.
Tani mesfushori qendror ka nisur të stërvitet me ekipin dhe trajneri Milinkoviç do të vendosë nëse vlen për pjesën e dytë të sezonit.