Futbolli shqiptar mund të buzëqeshë, sepse pas gjithë lajmeve të hidhura të kohëve të fundit, ka sërish jetë dhe transferimi i Kristal Abazajt është një goditje shumë e madhe, për të gjithë, jo vetëm për Luftëtarin, apo Skënderbeun. Një lëvizje e realizuar nga Shkumbin Qormemeti dhe Haris Fakiç, që edhe një herë tregojnë se janë mjeshtra të merkatos dhe Skënderbeu është treguar shumë i zgjuar që është lidhur me ta, duke përfituar jo pak, ashtu si vetë agjentët e njohur.
Abazaj ka firmosur krejt papritur një kontratë 3-vjeçare, me një opsion për rinovim të mëtejshëm. Është aventura e parë jashtë Shqipërie për talentin e kombëtares sonë, i cili te Luftëtari ka qenë fantastik këtë sezon, jo thjesht për 9 golat e shënuar në Superiore.
Drejtori sportiv i Anderlehtit, Luk Devro, ka deklaruar pas firmave: “Kristali konsiderohet si një ndër talentet më të mëdhenj shqiptarë. Jemi shumë të kënaqur që një lojtar premtues ka zgjedhur Anderlehtin, jam i sigurt se ai do të përmbushë potencialin e tij me ne”.
Vetë Abazaj deklaroi shkurt për faqen zyrtare të Anderlehtit: “Është një klub i madh në Europë, shumë i njohur edhe në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që do të kem mundësi të rritem dhe të zhvillohem në një klub kaq të madh dhe pres me padurim të bashkohem me skuadrën”.