Gjashtë gola në Kupë për Partizanin: më shumë se sa një sinjal, është një çlodhje në këtë moment deri diku delikat, ndërkohë që disa ditë përpara së hënës klubi, trajneri dhe ekipi kanë disa sfida të rëndësishme për të kaluar.
E para, klima brenda llojit. Disiplina është një element shumë i rëndësishëm, megjithatë pezullimi, gjobitja dhe çështja Hoxha deri diku nuk lë një shije të mirë. Patjetër që mund të jetë ndryshim kursi në mënyrën e sjelljes brenda grupit, por meqenëse dora e hekurt u tregua dhe mesazhet u dhanë, ndoshta staf-kapiten tani duhet të gjejnë jo vetëm gjuhën por dhe shpirtin e përbashkët.
Sfida numër 2 ka të bëjë me lojën. Shumë gjëra kanë ndryshuar, sidomos në organikë dhe në zgjedhjet e trajnerit por kundër Laçit qartësisht ekipi pati vështirësi në manovër, sidomos sulmuese. Krahët pothuaj nuk funksionuan, ndërkohë që Sukaj, sulmuesi kryesor, u furnizua shumë pak. Blerjet e reja në mesfushë morën një notë kaluese nga pikëpamja individuale, por në kolektiv ekipi dha shenja të rrezikshme: lojë e lexueshme dhe zgjim i vonë, vetëm në disavantazh. Mbi të gjitha duhet të rikuperojë një element të rëndësishëm që ka pasur Partizani gjithnjë, agresivitetin. Ai ekip nuk të frikësonte.
E treta, por ndoshta më e rëndësishmja, është rezultati. Një skuadër që dëshiron të dalë kampion duht të gabojë sa më pak. Nëse gabon njëherë është rastësi, dy herë rresht është statistikë. Rezultati është mbreti i kësaj loje që ndonjëherë nuk ka logjikë dhe përpara është Kukësi. A ka më mirë: të vjen kundërshtar i tillë për të sheshuar problemet brenda grupit, për të rigjetur ritmin e lojës e pse jo rezultatin. Nëse dy të parat i ke në rregull, e treta nuk do vonojë të vijë.
Gjergji Stefa