Tre penallti për një gol, Lisandro Lopez nuk e thyen dot rekordin e Martin Palermos

Disa gjëra ndodhin vetëm në Amerikën e Jugut! Pakkush e mban mend, por ish-sulmuesi i njohur argjentinas Martin Palermo, shënuesi më i mirë në historinë e Boka Zhuniors, humbi 3 penallti në një ndeshje kundër Kolumbisë në Copa America 1999, sfidë që u fitua 3-0 nga Kolumbia.

Kush e bën dot këtë “magji”? Duhet një argjentinas për të mundur një argjentinas, por ish-sulmuesi i Portos Lisandro Lopez tentoi mbrëmë, pa ia dalë mbanë.

Luhej sfida e Kupës Libertadores (ekuivalenti i Champions League) mes Rasing Klub e Vasko da Gamas.

Në minutën e 12-të penallti për Rasingun: Lopez nga pika e bardhë, gjuajtje e dobët qendrore, portieri uruguaian i Vaskos, Silva, largoi me këmbë.

Minutat shtesë të pjesës së parë, penallti tjetër: Lopez gjuajti bukur, por  Silva grushtoi sërish. Në atë moment ndeshja kishte shkuar 2-0 për Rasingun, ndaj u kthye në një betejë personale për Lisandro Lopezin, i cili në minutën e 61-të nuk gaboi më, në penalltinë e tretë të ndeshjes, pas së cilës u kërkoi falje tifozëve.

Gjithsesi, kapiteni i Rasingut kishte dhënë dy asistet për dy golat e parë të ndeshjes, ndaj kontributi i tij ishte i konsiderueshëm në fitoren 4-0 të Rasingut.

Ndërkohë, Martin Palermo mori frymë i qetë, “rekordi” i tij i rrallë nuk u prek!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *