Një sezon për t’u harruar, pasi Partizani vuajti shumë në të gjitha kuptimet, që nga organizimi, ekipi dhe rezultatet. Të kuqtë nuk arritën për asnjë moment të jenë aty ku duhet dhe flirtuan herë me Evropën dhe herë me rënien nga Kategoria. Fillimi i kampionatit ishte shumë skandaloz nën drejtimin e trajnerit Mark Julianos dhe stafit të tij. Ardhja e Starovës ndryshoi mekanizmat dhe skuadra filloi të merrte rezultate. Largimi i tij, ardhja e Dalipit nuk sollën asgjë të madhe, ekipi e kishte marrë drejtimin e tij dhe në fund e mbylli në mesin e artë të tabelës, jashtë çdo objektivi.
Në rast se Evropa arrihet, kjo ndodh vetëm për shkak të dënimit të mundshëm të Skënderbeut. UEFA e ka dhënë masën e saj, ndërsa pritet dhe vendimi i CAS-it. Ekipi i kuq nuk duhet të zihet “gafil”, por duhet të fillojë të mendojë për Europa Leaguen, pasi e kanë një eksperiencë të keqe që nga viti i kaluar. Ata e “sakrifikuan” këtë kompeticion duke e humbur në të dyja ndeshjet me skuadrën e Botev Plovdivit. Ndërtimi i skuadrës së vitit tjetër nis nga ata futbollistë që i mbaron kontrata dhe të tjerët që janë në dyshim. Mesfushori Lorenc Trashi ka shfaqur pakënaqësi së fundmi në skuadrën e kuqe. Ai e shfaqi hapur dhe në zëvendësimin që iu bë në ndeshjen kundër Kamzës. E ardhmja e tij nuk duket se ka aq dilema.
TRASHI – Mesfushori është një ndër futbollistët më të mirë të skuadrës së kuqe. Gramshioti ka patur një vit me shumë probleme, pasi fillimisht nuk u lejua të largohej në dhjetor kur kishte ofertë nga Turqia, ndërsa në janar ndodhi dhe sherri më i madh me Starovën. Ai debatoi ashpër me teknikun në fazën përgatitore të zhvilluar në janar duke e konsideruar të mbyllur aventurën me të kuqtë. Drejtuesit ndërhynë, por pas pak diskutimesh Trashi u rikthye me ekipin e parë dhe kaloi në formacion, pasi është një futbollist i rëndësishëm te “demat”. Merkatoja e verës solli zëra largimi për futbollistin e të kuqve, pasi gramshioti ka ekipin e Kukësit pas vetes. Burime të ndryshme pranë lojtarit bëjnë me dije se largimi i tij nga skuadra e kuqe është thuajse i pamundur. Kryeqytetasit nuk duan të heqin dorë nga mesfushori pasi e konsiderojnë të rëndësishëm për ekipin e tyre, ndërsa nga krahu tjetër janë të hapur për ta shitur jashtë vendit. Duket se aventura e Trashit me të kuqtë do të vazhdojë dhe për vitin tjetër.
BATHA – Kapiteni i Partizanit është pjesë e klubit deri m 31 maj. Praktikisht, ai është një lojtar i lirë në treg, pasi kampionati ka mbaruar po ashtu dhe angazhimi i tij me të kuqtë këtë sezon. Mes futbollistit dhe drejtuesve të klubit ka patur bisedime për rinovimin e kontratës, por palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Numri 10 i skuadrës po sheh mundësitë që i paraqiten në këto momente dhe me shumë mundësi do e mbyllë me ekipin e kuq. Ai u ka deklaruar miqve të afërt që nuk do të rinovojë me klubin e Partizanit. Kapiteni është shumë afër Kukësit, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë ndryshim kursi në momentet e fundit. Merkatoja i pranon këto lëvizje, pasi gjërat ndryshojnë 360 gradë në pak sekonda. Momentalisht, Batha është më larg se afër Partizanit.
FEJZULLAHI – E ardhmja e tij ka më shumë dilema, pasi nëse për Trashin ka më shumë mundësi për të qëndruar dhe Bathën për t’u larguar, nuk dihet asgjë për mbrojtësin e krahut të djathtë. Preshevari ka lëshuar disa deklarata kontradiktore, pasi herë ka deklaruar se do të presë Kampionatin, herë fundin e sezonit, por ai do largimin nga kryeqyteti. Preshevari ka kaluar një sezon me plot probleme, pasi ka qenë i dëmtuar dhe nuk ka luajtur në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Futbollisti u rikthye në ndeshjet e fundit, por nuk kishte kohë për të treguar shumë nga vetja. E ardhmja e tij mbetet me pikëpyetje të mëdha, pasi nuk dihet se si do të shkojë. Lojtari ka refuzuar ofertën e parë të klubit, “demat” nuk pranojnë kushtet e lojtarit.
KOTOBELLI – Mbrojtësi i krahut të majtë ka kaluar një sezon jo shumë të mirë me Partizanin. Ai ka patur disa përplasje që kanë ndikuar dhe në minutazhin e tij në fushën e lojës. Kotobelli ka patur një trajektore të çuditshme, pasi herë e ka nisur nga formacioni, herë nga stoli dhe herë jashtë ekipit. Futbollistit i mbaron kontrata në fund të sezonit dhe ka opsionin për të rinovuar automatikisht. Me shumë mundësi, rrugët e tij dhe klubit të kuq janë mbyllur që në ndeshjen kundër Kamzës, pasi nuk ishte i grumbulluar as në 18-she. Bisedime mes tij dhe klubit nuk ka patur.
KALARI – Mbrojtësit të krahut të majtë i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni. Ai nuk ka folur ende për rinovim me drejtuesit e klubit. 33-vjeçari u rikthye në formacion në takimet e fundit, pasi ishte anashkaluar disi nga trajneri Dalipi. Futbollisti nuk ka patur asnjë diskutim me klubin dhe nuk dihet se si do të jetë e ardhmja e tij. Kalari do të bisedojë me drejtuesit e klubit kur të nisë grumbullimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm, ose do të dalë si futbollist i lirë.