Mauro Icardi ishte lojtar i Interit nga viti 2013 deri në vitin 2019, ndërsa marrëdhënia me tifozët ishte “dashuri dhe urrejtje”. Sulmuesi argjentinas kaloi ditët më të mira të karrierës së tij në këtë klub, për të cilin shënoi 124 gola dhe 29 asistime në 219 paraqitje. Pas kësaj argjentinasi shkoi në PSG, ku ngeli në hije, para se klubi francez ta dërgonte në huazim te Galatasaray. U përfol se Ikardi mund të rikthehet në radhët e kampionëve francezë këtë verë, por aty nuk ka vend për të dhe do të duhet të kërkojë një klub të ri.
Një nga opsionet është në Arabinë Saudite, por tashmë mediat në Itali po sjellin të tjera lajme dhe nëse kjo ndodh, mund të tronditë tifozët e Interit. Konkretisht, rivali më i madh i Interit, Milani, është i interesuar për shërbimet e Mauro Icardit. Rossonerët thuhet se duan ta huazojnë argjentinasin. Icardi ka kontratë me PSG-në deri në fund të sezonit të ardhshëm, kështu që praktikisht do të nënkuptonte që pas atij huazimi ai do të bëhej lojtar i lirë dhe Milani mund ta mbajë atë. /Sport Ekspres/