Endri Çekiçi do të kalojë te Arsenali! Ishte ky raportimi dhe fantazia e shfrenuar e mediave në Slloveni, ku shpejt u kuptua se transferimi i lojtarit shqiptar te gjigandët e Premier League ishte i pamundur për të ndodhur. Në ditët e fundit erdhi edhe një tjetër raportim duke treguar se trajneri i ri i Osijek dhe që më herët ka drejtuar Dinamo Zagrebin, e kishte Çekiçin në listën e dëshirave.
Megjithatë, duket se një rikthim në Kroaci është shumë larg për t’u mbyllur si marrëveshje. “Ekipa24” tregon se Çekiçi është pranë arritjes së akordit me një skuadër në Turqi. Emri i saj është bërë publik, por mbetet e çuditshme sesi mund të ndodh një kalimi i tillë dhe kjo për shumë arsye. Pikësëpari flitet për Ankaragucu, një ekip që në sezonin e fundit mbajti vendin e parafundit në elitën e Turqisë dhe shpëtoi vetëm për faktin e rregullave të reja që u vendosën nga pandemia, atje ku nuk u rrëzua asnjë skuadër.
Në të kundërt, do të ishte pjesë e Ligës së Parë në Turqi. Pra niveli i kësaj skuadre lë shumë për të dëshiruar, ndërsa Endri Çekiçi ka qenë i mahnitshëm me Ljubjanën dhe meriton një skuadër më kompetitive në elitën e Europës. Për të vazhduar më tej edhe shifra për të cilën do të kryehet transferimi është i habitshëm.
Kjo shitje do të mbyllet me 350 mijë euro, në një kohë që flitet për një produkt të Dinamo Zagrebit dhe që ka kaluar me sukses provën në Slloveni. Një shifër kjo e cila nuk bind Tiranën për të shitur një talent të sajin, Ernest Muçin, pasi kërkon shumë më tepër. Kjo tregon saktësisht krizën e madhe ekonomike që po kalon Ljubjana në këto kohë, ndërsa presim të shohim zhvillimet mbi transferimin e Çekiçit. /Sport Ekspres/