Partizani ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat. “Demat e kuq“ kanë mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 Laçin. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 44-t, kur Skuka ekzekuton me saktësi një penallti të fituar nga po vetë ai. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport“.
Kolela (Partizani): “Nëse e mbyllim kampionatin me 6 pikë do të thotë që biem nga kategoria. Ka ende shumë për të punuar. Kemi bërë një ndeshje të bukur, por i patë rastet dhe shpërdoruam shumë. Strategji për të bllokuar Mazrekajn? Unë mendoj se një skuadër duhet të punojë përtej një lojtari specifik të kundërshtarit, por si skuadër. Për sa i përket tranzicionit negativ është ajo që duhet të përmirësojmë në të ardhmen. Nuk ka një lojtarë specifik që fokusohemi, ne duhet të funksionojmë si skuadër.
Jam i lumtur për 3 pikët sepse punojmë gjithë javën për të fituar 3 pikët. Është ajo që kam thënë edhe në konferencën para ndeshjes që ne do të synojmë 3 pikët në çdo ndeshje. Jam i qetë sepse ka ende shumë rrugë për të bërë. Sigurisht që trajneri që ka qenë përpara meje ka bërë një punë të mirë, ndryshe skuadra nuk do të luante kështu dhe ne duhet t’i japim meritat. Unë dua të fus në ekip për të futur disa koncepte që i kam dhe vetë.
Mendoj se merita për një ndeshje të mirë është e të gjithë lojtarëve. Mesfushorët bënë mirë, por njësoj bënë edhe mbrojtësat dhe sulmuesit. Të gjitha repartet bënë mirë dhe funksionuan mirë, por kemi ende shumë për të përmirësuar dhe këtë gjë do ta bëjmë që nga seanca e radhës stërvitore”.
Vukiçeviç (Laçi): “Shumë gjëra nuk më pëlqyen. Dua të uroj Partizanin për këtë fitore. Na mungoi gjithçka në këtë ndeshje, agresiviteti, kontrolli i topit dhe shumë të tjera. Disa lojtarë nuk ishin në nivelin e tyre prandaj e humbëm ndeshjen. Ne i humbëm të gjitha duelet me sulmuesit e Partizanit, në mesfushë kishim shumë probleme. Humbën topat e dytë dhe më pas pësuam me një 11-metërsh. Asgjë nuk shkoi mirë.
Nuk mendoj se skuadra varet nga Mazrekaj. Futbolli është lojë kolektive prandaj nuk jemi të varur prej tij. Nga Mazrekaj prisja shumë më shumë, por kjo ishte performanca e tij. Nuk varet vetëm nga mesfusha, por edhe pjesa tjetër. E dinim se Partizani do të luante me katër mesfushorë përpara, por ne kemi mënyrën tonë të lojës. Ne kishim 5 lojtarë përpara, duke marrë parasysh Babatunden, Mazrekajn dhe Spahiun, si dhe dy lojtarë përpara mbrojtjes.
Çdo gjë që bëmë sot ishte problematike. E vetmja gjë pozitive e kësaj ndeshje është fakti që humbëm me penallti dhe jo me një gol me aksion. Ne reaguam menjëherë pas golit të pësuar, por ishte shumë pak për të ndryshuar fatin e këtij takimi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/