Medon Berisha ka marrë minuta mjaft të vlefshme në ndeshjet e fundit të kampionatit italian. Trajneri i ri i Leçes e ka pranuar se mesfushori shqiptar është një element me mjaft perspektivë për të ardhmen. Në një intervistë të dhënë për “Pianeta Lecce”-n, lojtari i Shqipërisë U21 ka thënë se ka marrë këshilla të rëndësishme nga Ramadani dhe se gjithmonë është stërvitur në maksimum, pavarësisht nëse luante apo jo. Në lidhje me aktivizimin e pakët nga trajneri i mëparshëm, Berisha ka treguar se edhe D’Aversa besonte te aftësitë e tij, pasi ia kishte shprehur hapur se meritonte më tepër minuta.
“Kam punuar gjithmonë në maksimum në çdo stërvitje, edhe nëse nuk luaja. Është e qartë që mërzitesha, por jam stërvitur gjithmonë në maksimum. Kam kërkuar të përmirësohem në çdo aspekt dhe besoj se e kam bërë. Ka qenë një vit me përvojë, kam paë lojtarë si Ramadani dhe Pongraçiçi që më kanë dhënë shumë këshilla. 10-15 sekondat e para të debutimit kundër Interit ishin emocionuese. Më pas përqendrimi të çon deri në atë pikë sa nuk dëgjon as zhurmat në stadium.
D’Aversa më aktivizonte pak? Nuk mendoj se ka qenë çështje e skemës. Me shumë mundësi ka preferuar përvojën më të madhe të shokëve të mi. Mund të them se zoti D’Aversa ishte një njeri i mië. Më fliste shpesh fjalë të mira dhe i vinte keq për aktivizimin tim të paktë. Më thoshte që meritoja më shumë”, është shprehur Medon Berisha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/